Tiranë, 17 mars 2023 – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka propozuar zonjën Vlora Hyseni, ish zëvendës drejtore e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, për postin e drejtueses së Shërbimit informativ shqiptar.
Zoti Rama e propozoi emrin e zonjës Hyseni Presidentit Bajram Begaj, i cili ka kompetencën për të dekretuar shefin e shërbimeve sekrete.
Në një postim në Facebook, zoti Rama shkruajti se ka “besim të plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit informativ shqiptar”.
Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.
Zonja Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas Zëvendësdrejtore e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më pas në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani.
Nuk është hera e parë që në institucionet e Shqipërisë janë emëruar zyrtarë nga Kosova, deri në nivele të ministrave.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)