Shqipëri: Raundi i dytë i votimit për president caktohet për 23 maj

Tiranë, 17 maj 2022 – Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur të martën që raundi i dytë i votimit për presidentin e ardhshëm të vendit të zhvillohet më 23 maj.

Kjo datë është propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në mbledhjen e sotme, përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës kanë diskutuar për kriteret për presidentin e ardhshëm dhe për mundësitë e arritjes së marrëveshjes për propozimin e kandidatëve për këtë pozitë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka thënë se presidenti i ri duhet të zgjidhet në bazë të kritereve të qarta dhe se opozita duhet ta ketë të drejtën e propozimit të emrit të kandidatit për president. Ai ka përsëritur qëndrimin e tij për zgjedhjen e një presidenti anti-komunist.

Kreu i grupit të PD-së e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se do të djegë tri raundet e para të votimit në parlament, me qëllim që të shkohet në dy raundet e fundit dhe presidenti të zgjidhet nga mazhoranca me shumicë të thjeshtë të votave. Ai ka kërkuar që PS të shprehë vullnet që zgjedhja e presidentit të ri të bëhet në tri raundet e para të votimit në parlament, në mënyrë që opozita të ketë garanci se zgjedhja e presidentit do të jetë gjithëpërfshirëse.

Deputeti i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur kundër djegies së seancave të votimit në parlament, siç ka ndodhur të hënën, për shkak të mungesës së propozimeve të kandidatëve.

Edhe ai, sikurse Alibeaj, ka kërkuar që opozitës t’i jepet ekskluziviteti i propozimit të kandidatitpër president dhe ka theksuar se opozita ose duhet të propozojë kandidatët e saj ose të ndërpresë pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Por, Taulant Balla e ka kundërshtuar këtë kërkesë të përfaqësuesve të opozitës. Ai ka thënë se të gjitha palët duhet të kenë të drejtën e propozimit të kandidatëve, kështu që as PS-së nuk mund t’i hiqet e drejta që të bëjë propozimin e saj.

Në tri raundet e para të votimit për presidentin e ri nevojiten votat e së paku 84 deputetëve të Kuvendit (dy të tretat e përbërjes së plotë të Kuvendit). Pas konsumimit te tri raundeve të votimit, Presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, me 71 vota.

Partia Socialiste nuk mund t’i sigurojë 84 vota, prandaj duket e interesuar të “djegë” tri raundet e para dhe të zgjedhë kandidatin apo kandidaten e propozuar prej saj me 71 vota.

(r.m.)