Në Shqipëri, Aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, “Nënë Tereza”, iu rikthye normalitetit pas dy ditësh bllokimi për shkak të protestës së kontrollorëve ajororë të cilët në bllok deklaruan të mërkurën paftësinë për të punuar. Një grup kontrollorësh turq dhe grekë, u thirrën nga autoritetet për të garantuar vazhdimin e aktivitetit, ndërkohë që u bë e ditur se një pjesë e mirë e kontrollorëve shqiptarë janë rikthyer në punë. Avokati i tyre megjthatë tha sot se nuk kishte ndonjë informacion për situatën e re të krijuar
Nga Armand Mero, Zëri i Amerikës
Pas avionit të Air Albania-s, i cili u ul dje pasdite në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, me një ngarkesë prej 100 mijë vaksinash, sot rinisën normalisht dhe fluturimet e linjave ajrore.
Për dy ditë aeroporti mbeti i bllokuar, pasi kontrollorët ajrorë nisën një protestë të paprecedentë, për të kundërshtuar një vendim të prillit të vitit të kaluar të kompanisë Albcontrol për rishikimin e kontratës së punës, duke reduktuar ndjeshëm pagat e tyre mujore. Ndërsa bisedimet të martën me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku nuk sollën asnjë rezultat, ata deklaruan paaftësinë për të punuar për shkak të stresit financiar. Fillimisht ishin një grup i vogël, të cilët iu bashkua më pas dhe pjesa tjetër.
Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë, dhe për të zhbllokuar situatën e krijuar, autoritetet kërkuan ndihmën e një sërë strukturave homologe. Që dje në vend mbërritën një grup kontrollorësh turq, të cilët u pasuan sot nga një grup tjetër kontrollorësh grekë. Ndërkohë, sipas deklarimeve zyrtare, një pjesë e mirë e kontrollorëve shqiptarë duket se janë tërhequr nga vendimi i mëparshëm dhe i janë rikthyer punës. Madje i gjithë aktiviteti i sotëm në kullën e kontrollit, mësohet të jetë kryer nga specialistët shqiptarë.
Nuk ka një të dhënë se sa është numri i atyre që kanë rinisur punën. Edhe avokati i sindikatës së Transportit ajror, Rezart Kthupi, i tha Zërit të Amerikës se nuk kishte informacion për situatën e re. Zoti Kthupi ishte sot gjatë ditës në seancën përgatitore të procesit të hapur prej kontrollorëve në Gjykatën e Tiranës, për vendimin e Albcontrol-it të vitit të shkuar për reduktimin e pagave.
Nesër pritet seanca për tre kontrollorët e ndaluar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. “Nuk e dimë akoma, se çfarë do të kërkojë prokuroria. Ajo që do të kërkojmë ne është paligjshmëria e masës së arrestit dhe rrëzimi i të gjitha akuzave, pasi e vërteta është se është një akuzë e ngritur për qëllime të ndryshme nga ajo e respektimit të ligjit”, shpjegoi zoti Kthupi.
Sipas procesverbalit të ndalimit, ku citohen dhe komunikime telefonike, të tre kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”.