Tiranë, 11 shtator 2022 – Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot se pas sulmit kibernetik të rregjistruar mbrëmjen e së premtes, në 6 pika të kalimit të kufirit, është bërë i mundur rikthimi i sistemit TIMS, i cili rregjistron hyrje-dajet e personave dhe automjeteve në vend.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se sistemi TIMS, është rikthyer në funksion të plotë në aeroportin Nënë Tereza, si dhe në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, Kakavijë dhe Kapshticë, në dy të tjerat me Malin e Zi, Han të Hotit dhe Muriqan, si dhe në Morinë, pika e kalimit kufitar me Kosovën. Ai shtoi se po punohet për rivendosjen në punë të sistemit dhe në pikat e tjera.
Sipas ministrit Çuçi, “ekspertët shqiptarë janë ndihmuar në përpjekjet e tyre nga partnerët amerikanë”.
The United States condemns the September 9th cyberattack against our NATO Ally, Albania. This malicious activity against Albania follows the July 15 cyberattack conducted by the Government of Iran. The U.S. government is supporting Albania’s efforts to mitigate and recover.
— Adrienne Watson (@NSC_Spox) September 11, 2022
Në një postim në Twitter, Këshilli i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dënoi sulmin e të premtes ndaj, Shqipërisë, “aleati ynë në Nato”, duke vënë në dukje se “ky aktivitet keqdashës, pason sulmin kibernetik të 15 korrikut, të kryer nga Qeveria e Iranit”. Deklarata bën me dije se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara po ndihmon Shqipërinë të zbusë pasojat dhe të rikthejë funksionimin e sistemit”.
Autoritetet shqiptare bën përgjegjëse sërish Iranin dhe për sulmin mbi sistemin TIMS, duke deklaruar se bëhej fjalë për të njejtët agresorë. Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit” dhe se nuk ka patur “asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.
Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm.Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin,fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit,asnjë zhudkje a rrjedhje serioze të dhënash!
— Edi Rama (@ediramaal) September 11, 2022
(Zëri i Amerikës)