Tiranë, 29 janar 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën se ka miratuar një plan masash në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Sipas SPAK, masat bazohen në një urdhër të datës 24 janar 2025, të drejtuesit Altin Dumani, të nxjerrë bazuar në legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, si dhe në zbatim të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, të kësaj strukture të posaçme të hetimit – strategji që ende nuk është bërë publike. Menaxheri i këtij plani masash do të jetë vetë drejtuesi i SPAK, prokurori Altin Dumani.
Veprat penale që do të hetohen në kuadër të këtij plani masash janë korrupsioni aktiv e pasiv në zgjedhje, si dhe çdo vepër penale në kuadër të krimeve zgjedhore e kryer nga krimi organizuar apo nga zyrtarë publikë të nivelit të lartë.
Në kuadër të mundësimit të zbatimit të masave është parashikuar ngritja e një grupi hetimor që do të përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të terrenit, që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore. Struktura qendrore do të drejtohet nga Dumani dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, hetues financiarë, ekspertë, si dhe staf administrativ mbështetës.
Edhe grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje të njëjtë dhe do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në 61 bashkitë në të 12 qarqet. Detyra e grupeve hetimore në terren do të jetë parandalimi dhe hetimi i veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturën shtetërore si dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Për të mbështetur zbatimin e planit të masave, SPAK ka parashikuar të krijojë një platformë e posaçme ku do të administrohen denoncime nga qytetarët dhe institucionet. Në dispozicion të denoncuesve është parashikuar të vendoset një numër emergjence, raportime online dhe adresë email-i. Informacionet që do të merren nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Sipas SPAK, kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Në këto raste, prokurorët janë të detyruar që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale.
Një tjetër grup pune i posaçëm do të ketë si detyrë të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale, që më pas tu përcillen Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.
Nën monitorimin e SPAK do të jetë dhe përdorimi i buxhetit dhe investimet publike, procedurë që do të kryhet nga hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të kësaj fushe. Në njoftim thuhet se investimet publike nuk do të lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore.
SPAK u bënë thirrje institucioneve shtetërore dhe private, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve që të angazhohen aktivisht në mbështetje të këtij procesi, duke kontribuar në zbatimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore.