Tiranë, 24 qershor 2022 – Diplomatët amerikanë dhe ata europianë në Shqipëri u bënë thirrje përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë që të përdorin strukturat e reja për sa më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar.
Gjatë një konference ndërkombëtare në Tiranë, ata thanë se ndërhyrjet ndaj sistemit të drejtësisë po vazhdojnë, por ndërkohë po arrestohen kriminelë dhe politikanë të korruptuar.
Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Demian Smith, tha se sistemi gjyqësor shqiptar ka nisur t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm personave të lidhur me politikën dhe me krimin.
Ai kujtoi që 6 vjet më parë, kur nisi reforma, 25 për qind e gjyqtarëve pranonin se bënin korrupsion në gjykatë dhe 57 për qind e tyre pranonin se kishin ndërhyrje politike. Tani këto dukuri, tha ai, po zhduken nga reforma, e cila po sjell një sistem gjyqësor të pavarur, dhe të lirë nga presionet gjatë marrjes së vendimeve.
“Shqiptarët kanë nisur të shohin rezultate, nga largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, dhe arrestimi i politikanëve, policëve, zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve të krimit të organizuar. Mbetet edhe shumë për të bërë. Tani sistemi i ri gjyqësor ka hyrë në një periudhë të re, duke qëndruar i pavarur e i paanshëm, për të mbajtur të fortë demokracinë. SHBA është pranë jush në çdo hap të kësaj reforme dhe nxit autoritet ta vazhdojnë këtë punë të vështirë, pavarësisht pengesave”, tha zoti Smith.
Ai shtoi se tashmë varet nga vigjilenca juaj e përkushtimi i institucioneve shqiptare, si ILD, për të shënuar përparim në luftën ndaj korrupsionit për të ruajtur integritetin e sistemit gjyqësor.
Ndryshimi mbetet në dorën e njerëzve të sistemit të drejtësisë, sipas tij, për të vijuar atë që nisi me vetingun: ngritja e një sistem të drejtë të pavarur drejtësie.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se reformimi i sistemit të drejtësisë po jep frytet e para, duke nisur me rrëzimin e miteve të pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe politikanëve.
“Arrestimet për akuza korrupsioni po ndodhin para syve të të gjithëve, dhe askush nuk është i pandëshkueshëm, nëse provohet abuzimet me ligjin. Një tjetër mit në dekadat më parë ishte se zëri i qytetarëve nuk mund të hynte në pallatin e drejtësisë. Gjyqtarë të korruptuar sundonin në bashkëpunim me politikanë po aq të korruptuar. Edhe ky mit po bie”, tha zonja Nikolla.
Ndërsa i ngarkuari me punë i Delegaconit të BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, thotë se krahasuar me gjendjen e rëndë të mëparshme, sistemi aktual u përmirësua shumë nga reforma, por ende mbetet shumë punë përpara.
“Ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet në çështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme, marrin dhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi por dhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve” – tha zoti Hupin. – E ardhmja është në duart tuaja. Vettingu vendosi standarde të reja në sistemin e drejtësisë dhe institucionet e reja kanë për detyrë të ruajnë këto standard të reja që solli vetingut”, tha Hupin.
Konferenca ndërkombëtare bashkoi në një sallë edhe online inspektorët nga Rrjeti Europian i Inspektimit të Drejtësisë, nga Rumania, Greqia, Franca e Bullgaria, Italia, Belgjika e Spanja.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, Artur Metani, tha se pas mbështetjes së madhe nga SHBA dhe BE, tashmë sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësia e aktorëve të drejtësisë.
“Respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian dhe ruajtja apo sigurimi i tyre përbën një përgjegjësi të përbashkët për të gjitha institucionet e BE-së, si dhe shtetet anëtare të tij. Megjithatë qasja ndaj tyre, nuk duhet të shihet si kufi, pengesë apo kusht ndaj shteteve të tjera jo anëtare, por si një simbol, i cili na bashkon të gjithëve ne. Kjo është baza e bashkëpunimit tonë edhe në fushën e drejtësisë”, tha Metani.
Në përfundimet e konferencës ndërkombëtare u theksua njëzëri nevoja për të rritur cilësinë e drejtësisë dhe shërbimeve për qytetarët në këtë sistem.
Po ashtu pjesëmarrësit u angazhuan të punojnë për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek organet e drejtësisë përmes pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve, si dhe përgjegjshmërisë dhe kontrolleve të inspektorëve.
Gjatë procesit të vetingut, i cili deri tani ka shqyrtuar gjysmën e punonjësve të drejtësisë, janë larguar nga sistemi gjyqësor afro 45 për qind e gjyqtarëve dhe rreth 37 për qind e prokurorëve.
Autoritetet besojnë se prurjet e reja nga magjistratura dhe gjyqtarët e prokurorët që po e kalojnë me sukses vetingun, do të ngrejnë një sistem gjyqësor profesional përballë krimit, korrupsionit dhe padrejtësive.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)