Tiranë, 29 mars 2022 – Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka lëshuar urdhërarrest për 14 persona të dyshuar për aferën e inceneratorëve. Në mesin e të dyshuarve lidhur me këtë aferë është edhe deputetit socialist Alqi Bllako, i cili ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Urdhërat e arrestit janë lëshuar në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Fierit, por në listë ka edhe persona të tjerë të dyshuar në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.
Bëhet fjalë për zyrtarë lokalë, ish anëtarë të komisioneve të prokurimit dhe ish administratorë. Në listë është sërish, me një urdhër të ri arresti, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, si dhe Klodian Zoto, ish administrator i një prej kompanive që ndërtoi inceneratorin e Elbasanit e cila rezulton të ketë dhe 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit. Mbi ta rëndojë n akuza të ndryshme, që nga “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” apo dhe “Pastrim parash”. SPAK njoftoi gjthashtu se ka kryer, me vendim të gjykatës dhe një seri sekuestrimesh të pasurive të personave të arrestuar.
Sipas SPAK-ut, nga hetimet ka rezultuar se “nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, janë kryer verime në kundërshtim me ligjet”, gjatë procedurës së dhënies së koncensionit dhe lidhjes së kontratës.
Zoti Koka akuzohet gjithashtu se në bashkëpunim me Kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi “kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar” për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke e cilësuar “tokë truall” dhe jo “tokë arë”, me pasojë një dëm ekonomik prej afro 160 mijë dollarësh.
Nga hetimet është zbuluar se “shoqëritë “Integrated Technology Ëaste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer”. Këto shoqëri dyshohet të kenë qenë të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej ish ministrit Koka dhe prej personave familjarë të tij. Sipas përllogaritjeve të SPAK-ut, rezulton se përfitimi nga këto manovra financiare, të ketë qenë prej afro 1.4 milion dollarë, të cilat mendohet t’I kenë shkuar në formë ryshfeti ish ministrit.
Për këtë arsye, me kërkesë të SPAK-ut, gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive për 4 pasuri të ish ministrit Koka, me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2, vlera e së cilave është përllogaitur si e barabartë me shumën e ryshfetit që ai dyshohet të ketë marrë.
Hetimet për Fierin kanë nxjerrë në dritë dhe përfshirjen e deputetit socialist Alqi Bllako, Sipas SPAK-ut, në funksionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm, i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë. Për pasojë nën sekuestro ka përfunduar një apartament, me sipërfaqe 99.48 m2, në Tiranë, në pronësi të babait të deputetit Bllako. Për arrestimin e tij, SPAK, duhet të presë autorizimin e parlamentit.
Ky i sotmi është grupi i dytë i arrestimeve për çështjen e incineratorëve. SPAK arrestoi në mes të dhjetorit ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka, nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion e rryshfete deri në 3.7 milionë euro gjatë procedurave për lejet e incineratorit të Elbasanit. Ai i mohoi akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se kishte zbatuar vetëm ligjin.
Krahas tij, SPAK lëshoi dy urdhëra arrestimi edhe për dy Stela Gugallian dhe Klodian Zoton, e para si administratore e kompanisë, që fitoi koncensionin e Elbasanit, i dyti administrator i kompanisë, që kreu punimet. Gugallia dhe Zoto janë shpallur në kërkim nga policia.
Në rastin e arrestimit të ish ministrit të mjedisit dhe më pas, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se raportet e personave të dyshuar me SPAK janë marrëdhënie individuale dhe se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt.
Hetime mbi procedurat e tre incineratorëve kreu edhe një komision i posaçëm i Kuvendit, i cili mori dëshmi nga disa dhjetëra zyrtarë të lartë, kryeministri Edi Rama, ministra e ish ministra, deputetë e ish deputetë, bashkiakë e ish bashkiakë në Tiranë, Fier e Elbasan, ekspertë e administatorë privatë e shtetërorë të kompanive dhe bizneseve që lidhen me tre incineratorët.
Opozita deklaroi prej se afera e incineratorëve ishte një shkelje e hapur e ligjeve dhe një korrupsion i përmasave të mëdha.
Kuvendi me shumicë socialiste nuk e miratoi raportin me 120 faqe të hartuar nga komisioni i drejtuar nga opozita, por materialet voluminoze të siguruara gjatë këtij hetimi janë dërguar në SPAK për të mbështetur hetimet e nisura prej 6 muajsh.
(Zëri i Amerikës)