Shqipëria bëhet pjesë e mekanizmit të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile

Tiranë, 18 nëntor 2022 – Shqipëria është bërë sot zyrtarisht pjesë e Mekanizmit të Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, që ka në themel sistemin e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë.

Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, është takuar në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi ku ka nënshkruar marrëveshjen në emër të BE për t’i dhënë Shqipërisë statusin e anëtarit në këtë mekanizëm.

“Sot jam krenar të mirëpres Shqipërinë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Ky hap vjen në një moment vendimtar kur rreziqet natyrore janë më të shpeshta dhe më intensive. Një fatkeqësi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë dhe sistemet tona të reagimit ndaj krizave duhet të jenë gati për t’i bërë ballë edhe pasojave të ndryshimeve klimatike.

Dua të falënderoj autoritetet shqiptare të mbrojtjes civile për vendosmërinë dhe përpjekjet e tyre të palodhura për ta sjellë në jetë këtë zhvillim të rëndësishëm. Duke punuar së bashku, ne mund ta përmirësojmë ndjeshëm përgatitjen tonë për emergjencat dhe të ndërtojmë një sistem më fortë të menaxhimit të fatkeqësive në Evropë”, deklaroi ai gjatë fjalës së tij.

Ministri Peleshi u shpreh se BE ka qenë pranë Shqipërisë në ditët më të vështira duke përmendur tërmetin e vitit 2019.

Çfarë parashikon anëtarësimi në këtë mekanizëm?

Ai bazohet në bashkëpunim dhe solidaritet, në rastet e fatkeqësisë natyrore dhe në rast se një nga shtetet anëtare përballe me një situatë të tillë, shtetet e tjera ofrojnë ndihmë.

Si anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë në vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në një reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.

(Panorama.al)