Rritje të rasteve me COVID-19 pas shfaqjes së variantit indian “Delta”.
Knid Ndrenika
Në Shqipëri, ministria e Arsimit u bëri thirrje mësimdhënësve, nxënësve dhe studentëve të përfitojnë nga gushti si Muaji i Hapur i Vaksinimit kundër Koronavirusit për të qenë më të sigurtë në vitin e ri pedagjogjik.
Shqipëria ka shënuar rritje të lehtë të rasteve me COVID-19 pas shfaqjes së variantit indian “Delta”.
Shkollat do të fillojnë dy javë përpara afatit të zakonshëm, përkatësisht në 1 shtator për të mundësuar zëvendësimin e orëve të humbura gjatë pezullimit të mësimit në periudhën e pandemisë.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi kërkoi që të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç, të marrin dozën e vaksinës në Qendrat Shëndetësore apo Pikat e Vaksinimit.
Zonja Kushi theksoi se vaksinimi është mënyra më e mirë që të shtrohet rruga për një vit të ri shkollor dhe akademik sa më të mbarë e të suksesshëm.
Pothuajse 1 milioinë e 240 mijë qytetarë janë vaksinuar që nga fillimi i fushatës në janar 2021 me të katër tipet e vaksinave “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Sputnik V” dhe “Sinovac”.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha gjithashtu shfaqja e variantit indian “Delta” të Koronavirusit i ka rritur rastet e të infektuarve, ndaj kërkoi vaksinimin pa mëdyshje sidomos nxënës, studentë dhe mësues.
“Vijojmë gjatë muajit gusht vaksinimin e grupmoshës plus 18 vjeç dhe duke synuar që studentët të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit “Delta” dhe për ulur rastet e rënda, fatalitetet dhe hospitalizimet”-tha ministrja Manastirliu.
Thuajse 17 muaj nga shfaqja e COVID 19, Shqipëria numëron 2457 jetë të humbura dhe të infektuarit janë gjithsej 133 mijë e 442.