Tiranë, 8 nëntor 2022 – Krimi shqiptar ka zgjeruar aktivitetin e tij në disa shtete ku më herët nuk ka qenë prezent e gjithashtu grupet kriminale shqiptare janë bërë më të egra.
Kështu konstatoi drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Arben Kraja, por edhe sinjalet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, për të dy palët do të thotë se kërkohet një tjetër nivel bashkëpunimi për të goditur këto aktivitete të paligjshme.
Në simpoziumin e organizuar në Tiranë për 30-vjetorin e krijimit të Drejtorisë Kombëtare Kundër Mafias në Itali, u theksua rëndësia e një bashkëveprimi më të fortë.
“Gjithmonë e më shumë, krimi i organizuar me përfaqësues shqiptarë po e rrit aktivitetin e tij. Elementë të aktivitetit kriminal shqiptar, po shtrijnë aktivitetin e tyre duke filluar që nga vendet e origjinës së Amerikës së Jugut, ku fillon transporti i drogave të forta. Vazhdojnë aktivitetin e tyre në vendet transit ku kalon droga. Kanë aktivitetin e tyre në vendet ku konsumohet droga, në vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu grupet kriminale janë bërë shumë të egër. Flas për shkak të vrasjeve të ndodhura kohët e fundit”, tha kreu i SPAK-ut, Arben Kraja.
Kraja tha se ka 18 ekipe të përbashkëta hetimi mes Shqipërisë dhe Italinë dhe vetëm në dy operacione të kryera njëkohësisht në dy shtetet, janë arrestuar mbi 120 persona dhe konfiskuar mbi shtatë ton drogë.
Ndërkaq kreu i Prokurorisë së Romës, Francesco Lo Voi, tha se ky bashkëpunim i grupeve mafioze mes dy vendeve nuk ka vetëm vrasje e trafik droge, por dhe dëme të mëdha në shoqëri, në ekonomi, pasi dëmton tregun dhe konkurrencën e lirë dhe prodhon korrupsion.
Veç bashkëpunimit me strukturat ligjzbatuese, ai kërkoi edhe përfshirjen e qytetarëve në aksionin kundër grupeve mafioze.
Kreu i Prokurorisë së Barit, Roberto Rossi, tha se paratë e përfituara nga këto aktivitete të paligjshme po pastrohen në Shqipëri përmes ndërtimit apo sektorëve të tjerë.
“Jo vetëm që riinvestohen para të jashtëligjshme, por duke i investuar në këta sektorë prodhohet edhe një formë të re gjetjeje parash, në dukje ligjore. Aktiviteti formalisht është i ligjshëm në dukje edhe pse lind dhe bazohet në para të paligjshme”, tha ai.
Ndërkaq, për prokurorin e anti-mafias italiane Giovanni Melillo, Shqipëria dhe Italia duhet t’i bëjnë ballë transformimeve të krimit të organizuar duke goditur me ashpërsinë e ligjit këto grupe, por edhe korrupsionin dhe pasuritë e paligjshme.
Në kohën që zhvillohej ky simpozium në godinën e SPAK pati një telefonatë anonime që njoftoi për vendosjen e një bombe në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Alarmi rezultoi fals dhe policia është ende në kërkim të personit që telefonoi.
(Jetmira Delia-Kaci, REL)