Tiranë, 6 shkurt 2024 – Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ai i Italisë, Antonio Tajani.
Dy kryediplomatët e cilësuan këtë marrëveshje si një moment të rëndësishëm për qytetarët e të dyja shteteve.
“Finalizojmë sot 15 vjet përpjekje dhe shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë moment kaq të rëndësishëm”, tha ministri Hasani.
“Një marrëveshje e rëndësishme. Kishte 15 vjet që prisnim këtë firmë të cilën e formalizuam sot dhe garanton të drejtat e punonjësve italianë dhe punëtorëve shqiptarë në Itali”, theksoi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet, barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, nga vlerësimi paraprake rezulton se fillimisht do të përfitojnë 4.000 pensionistët, për të vijuar më pas në rritje vit pas viti. Një nga përfitimet kryesore është bashkimi i periudhave kontributive. Konkretisht periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të secilit shtet grumbullohen dhe bashkohen me periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen dhe sipas dispozitave te parashikuara nga legjislacioni i secilit shtet.
Të dhënat e institucioneve shqiptare, flasin për rreth 300.000 shtetas shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali dhe që japin kontributet shoqërore.
Viteve të fundit ka pasur disa herë protesta nga qytetarë shqiptarë që kanë punuar në Italia, të cilët kanë kërkuar njohjen e viteve të punës dhe kontributeve shoqërore në mënyrë që të përfitonin pension. Protesta e fundit është mbajtur në gusht të vitit para ambasadës italiane. Gjatë asaj proteste, ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, doli dhe i takoi protestuesit, duke premtuar nënshkrim të shpejtë të marrëveshjes.
Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022, por marrëveshja u finalizua vetëm më 6 shkurt 2024. Pas nënshkrimit, tani marrëveshja duhet të ratifikohet nga të dyja shtetet dhe më pas të hyjë në fuqi.
Gjatë një konference për media, ministri Hasani u pyet nga gazetarët nëse nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte një “shpërblim” për marrëveshjen që Shqipëria ka firmosur me Italinë për strehimin e emigrantëve, por ai tha se nuk ka asnjë lidhje mes tyre. Hasani theksoi se marrëveshja për pensionet vjen pas shumë negociatash dhe diskutimesh.
Përveç Italisë, Shqipëria ka 16 marrëveshje të nënshkruara për njohjen e sigurimeve shoqërore me disa shtete si: Austria, Belgjika, Çekia, Gjermania, Hungaria, Kanadaja, Kosova, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Zvicra, Bullgaria, Kroacia.
Ndërkaq 17 marrëveshje janë në proces negocimi. Konkretisht me Greqinë, Danimarkën, Holandën, Shtetet e Bashkuara, Poloninë, Serbinë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Moldavinë, Slloveninë, Australinë, Francën, Suedinë, Norvegjinë, Islandën, Finlandën dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërsa në proces vlerësimi janë tri marrëveshje me Indinë, Izraelin dhe Arabinë Saudite.
(Jetmira Derlia – Kaci, REL)