Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të ndihmojnë zonat e goditura nga tërmeti  në Turqi dhe Siri 

Tiranë / Prishtinë, 6 shkurt 2023 – Autoritetet e Shqipërisë dhe autoritetet e Kosovës thanë se janë të gatshme të mbështesin Turqinë për minimizimin e pasojave të tërmetit të fortë që e goditi të hënën në mënges.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se është thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes.

“Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata!”, shkroi presidenti Begaj.

Kryeministri Edi Rama, duke shprehur ngushëllime për humbjen jetëve, tha se një njësi kërkim-shpëtimi nga Shqipëria do të niset sot për në Turqi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e saj, përfshirë edhe dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në qoftë se kjo vlerësohet e nevojshme.

“Zemra ime është me të gjitha familjet e goditura nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura, me dëshirën për shërim të shpejtë të të gjithë të dëmtuarve.

Solidaritet i plotë me qytetarët e 🇹urqisë. Kosova është e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme, përfshirë edhe përmes FSK-së”, shkroi ajo në Twitter.

Edhe kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndihmojë të dëmtuarit nga tërmeti Turqi dhe Siri në këtë kohë të vështirë.

“Pas tërmetit shkatërrues të mëngjesit të sotëm, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta popullit të Turqisë dhe Sirisë, familjeve të viktimave dhe atyre që mbetën papritmas pa shtëpi. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, shkroi Kurti në Twitter.

(r.m.)