Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave

Tiranë / Prishtinë, 1 korrik 2024 – Autoritetet më të larta shtetërore e politike në Shqipëri dhe në Kosovë shprehën vlerësime kulmore për kolosin e letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta të hënën në mëngjes.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi Kadarenë “gjeni i letrave shqipe” ndhe “kolos të mendimit dhe të penës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “shkrimtar të papërsëritshëm” që tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi “dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve”

Kryeministri I Shqipërisë, Edfi Rama, e cilësoi si “monumentin më të madh të kulturës shqiptare në piedestalin e përjetësisë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi Kadarenë si “shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave”

Bajram Begaj: Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!

Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!

Vjosa Osmani: Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë.

Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.

Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore.

Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”.

Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht.

Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit.

Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!

Edi Rama: Kadare – monumenti më i madh i kulturës shqiptare

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më

Albin Kurti: Shkrimtari ynë më i madh i të gjitha kohërave

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

Ngushëllime të gjithëve.

(r.m.)