Shqipëria do të hapë një kamp për refugjatët që zbarkojnë në Itali

Romë, 6 nëntor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot në Romë se ka pranuar një marrëveshje me qeverinë italiane për pranimin e mijërave refugjatëve nga ata që zbarkojnë çdo ditë në Itali, të cilët do të mbahen në një kamp në Shëngjin në pritje të trajtimit të kërkesës së tyre për azil.

“Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona, sipas dhe një pjesë ekonomike me financat e Italisë për të bërë këtë lloj seleksionimi, refugjatët ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore, mes atyre që kanë të drejtë dhe atyre jo,” deklaroi Melloni.

“Nëse Italia thërret Shqipëria përgjigjet,” deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Qindramijëra refugjatë zbarkojnë në brigjet e Italisë çdo vit pasi kapërcejnë me shumë vuajtje detin Mesdhe nga brigjet e Afrikës. Italia është vendi më i prekur nga ky problem që prek të gjithë vendet e zhvilluara.

Procedura e zakonshme është që refugjatët aplikojnë për azil në vendin ku mbërrijnë ndërsa autoritetet vendëse gjykojnë nëse atyre u rrezikohet jeta në vendin e origjinës dhe kanë nevojë për mbrojtje sipas ligjit ndërkombëtar, apo janë vetëm emigrantë ekonomikë, të cilët duhet të kthehen në vendin e origjinës.

Shumë forca të të djathtës fobike në Evropë kanë ëndërruar të ushqejnë votuesit e vet me ndjesinë se po e luftojnë fenomenin duke planifikuar ndërtimin e “qendrave të procesimit” të emigrantëve jashtë territorit të vet, mundësisht në një vend sa më të varfër.

Qeveria britanike synoi të dërgojë azilkërkuesit për “procesim” në Ruanda, në Afrikë, por një gjykatë britanike ndaloi qeverinë të bënte dërgesa të tilla.

Aktualisht është Australia vendi që ka arritur të dërgojë azilkërkuesit në kamp në një ishull mijëra kilometra larg Australisë, ku refugjatët mbahen në kushte ‘burgu’ për shumë dhe shumë kohë ndërsa autoritetet gjykojnë kërkesën e tyre për azil.

As kryeministri Rama dhe as kryeministrja Melloni nuk thanë nëse azilkërkuesit që do të duhet të transferohen në Shqipëri do të pyeten nëse dëshirojnë këtë zgjidhje apo do të sillen me detyrim dhe as nuk dhanë ndonjë shpjegim se për çfarë arsyeje, qendra e procesimit duhet të bëhet në Shëngjin dhe jo në ndonjë vend tjetër në Itali.

(Reporter.al)