Nju Jork, 20 shtator 2023 – Seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të udhëheqë Shqipëria.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në Facebook, e ka cilësuar këtë seancë si njërën nga seancat “më të rëndësishme të dekadës të fundit”.
“Mirëmëngjes dhe me këtë foto nga oborri i OKB-së, ku sot Shqipëria do të ulet në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama nuk ka treguar se cilat janë çështjet që do të diskutohen në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit.
Shqipëria e ka marrë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 shtator të këtij viti, sipas rotacionit. Kjo është hera e dytë që Shqipëria e kryeson këtë këshill. Herën e parë ajo ka qenë kryesuese në muajin qershor të vitit të kaluar, 2022.
(r.m.)