Tiranë, 23 shkurt 2022 – Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi të mërkurën se “Shqipëria sapo ka vendosur t’i bashkohet deklaratës së Bashkimit Europian, që dënon fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura, dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcakton se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë”.
Zonja Xhaçka i bëri këto komente gjatë fjalës së saj në hapje të Takimin e 14-të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, një forum i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Europian, në të cilin diskutohen marrëdhëniet politike dhe ekonomike BE – Shqipëri.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria mbetet tërësisht në një linjë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si pjesë e angazhimit të saj në rrugën drejt BE-së dhe si ndjekëse e të njëjtave vlera dhe parime.
“Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në këtë kohë të trazuar sfidash ndaj sigurisë sonë të përbashkët evropiane. Sulmet ndaj arkitekturës evropiane të sigurisë e bëjnë edhe më të domosdoshme qasjen e përbashkët të BE-së dhe rajonit tonë” – tha ministrja e jashtme e Shqipërisë.
Shqipëria dënoi të hënën njohjen e pavarësisë nga Rusia të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.
“Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, – deklaroi ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin hapjen së shpejti të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe konferencat e para ndërqeveritare për ecurinë e integrimit europian.
(Zëri i Amerikës)