Shqipëria i bashkohet nismës për hetimin e Rusisë për krime lufte në Ukrainë

Tiranë, 3 mars 2022 – Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur se Shqipëria i është bashkuar nismës së 37 aleatëve dhe partnerëve të saj për të adresuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale akuzat për krime të luftës në Ukrainë.

Xhaçka ka thënë se Rusia duhet të hetohet për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid në Ukrainë.

“Shqipëria i bashkon forcat me 37 aleatë dhe partnerë për të referuar situatën në Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin”, ka shkruar Xhaçka në Facebook.

https://www.facebook.com/xhackaolta/posts/513008393514751

Gjykata Ndërkombëtare Penale njoftoi të mërkurën se do të nisë menjëherë një hetim mbi krimet eventuale të luftës Ukrainë. Ky njoftim vjen pas kërkesave të një numri të paprecedentë të shteteve anëtare të gjykatës për hetimin e mizorive të Rusisë në Ukrainë.

Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe refuzon juridiksionin e saj. Por, gjykata mund të hetojë akuzat për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit të kryera në territorin e Ukrainës, pavarësisht nga përkatësia etnike e autorëve të dyshuar.

(r.m.)