Tiranë, 12 gusht 2022 – Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të premten se Këshillit të Evropës ia ka përcjellë zyrtarisht dokumentin e miratuar më 21 korrik, përmes së cilit kërkohet rishikimi i Rezolutës për Kosovën.
Ligjvënësit shqiptarë miratuan më 21 korrik rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste që dënonte raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, që akuzonte ish-guerrilët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.
Tani Shqipëria i kërkon organizatës kryesore evropiane për të drejtat e njeriut që të të rishikojë rezolutën e miratuar 11 vite më parë.
“Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Rezoluta u është dërguar dhe vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës, krerëve të KiE-së dhe komiteteve përkatëse të organizatës për Çështjet Politike dhe Demokracinë dhe Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut.
Në dokumentin e miratuar nga parlamenti shqiptar thuhet se pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty për Këshillin e Evropës ishin të pabaza. Përveç pretendimeve për krime lufte, raporti thoshte se kishte dyshime se organe njerëzore ishin trafikuar nga figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pretendimet e Marty u hetuan nga një task forcë hetimore e Bashkimit Evropian. Raporti i task-forcës zbuloi se kishte baza për akuza për krime lufte, megjithëse nuk mund të vërtetonte pretendimet për trafik organesh. Gjetjet e tij çuan në themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në vitin 2015 për të gjykuar ish-guerrilasit për krime lufte.
(Reporter.al)