Tranë,11 prill 2021 – Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore zgjatën me dy orë në mbrëmje kohën e qarkullimit të qytetarëve, pasi treguesit e pandemisë Covid-19 janë përmirësuar dhe vaksinimi po zgjerohet.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi po ashtu të rihapen fluturimet ajrore me Britaninë e Madhe.
Zyrtarët e shëndetësisë shqiptare bënë sot të ditur vendimin e tyre për të zgjatur me dy orë të tjera në mbrëmje kohën e lëvizjes së qytetarëve si dhe funksionimin e bareve e restoranteve, sepse pandemia Covid-19 paraqitet me tregues të përmirësuar.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerësoi vlerësoi se pas përmirësimeve në 6 javët e fundit, oraret e ndalimit të qarkullimit do të jenë 10 të mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.
“Numri i vdekjeve, infektimeve të reja dhe shtrimeve në spitale ka rënë ndjeshëm. Ekspertët vlerësojnë se situata epidemiologjike është e qëndrueshme dhe ka një tendencë në rënie të infektimeve nga fundi i marsit e deri tani” – tha ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ky Komitet vendosi të rihapen fluturimet ajrore të udhëtarëve me Britaninë e Madhe, pasi atje ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike.
Po ashtu edhe në Shqipëri treguesit e pandemisë janë përmirësuar dukshëm.
Shqipëria ka vaksinuar deri tani afro 257 mijë banorë, ose rreth 1/ 6 e numrit të përgjithshëm të banorëve të vet.
Shtrimet në spitale me koronavirus kanë rënë ndjeshëm dhe madje spitali Covid 4 është krejt i boshatisur.
Vaksinimi besohet se po ndikon në përmirësimin e gjendjes. Shqipëria vaksinoi mjekët, mësuesit, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe nga nesër do ta ulë më tej moshën e vaksinimit.
Shqipëria ka humbur gjatë një viti afro 2 mijë e 300 persona të prekur nga Covid-19, u infektuan gjithsej afro 130 mijë persona, dhe ende janë aktivë me këtë virus rreth 30 mijë persona.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)