Tiranë, 27 maj 2021 – Në Shqipëri Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi sot lehtësimin e disa prej masava shtrënguese në fuqi, për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid 19. Duke nisur nga 1 Qershori hiqet detyrimi për mbajtjen e maskave në mjedise të hapura, i vendosur që në muajin tetor, ndërsa shtetrrethimi reduktohet me 1 orë, duke nisur nga 11 e mbrëmjes në orën 6 të mëngjesit. Nga 1 korriku, kufizimi i lëvizjes do të nisë në mesnatë.
Prej më shumë se 14 muajsh në Shqipëri u rregjistrua një rënie e vazhdueshme e rasteve të reja të prekura nga Covid 19 e po ashtu dhe e viktimave. Dita e djeshme, shënoi dhe herën e parë që nga 24 shtatori i vitit të kaluar me 24 orë pa asnjë humbje jete.
“Incidenca dy javore ka zbritur nga 35 për 100 mijë raste në 14 për 100 mijë raste, me një ulje edhe të mesatares ditore të rasteve pozitive në 28 nga 42. Numri i bashkive me raste të reja është 9. Vijojmë me të njëjtin raport të infeksionit meshkuj femra, 48 me 52. Numri i shtrimeve spitalore vijon të mbetet i ulët. Ajo që duhet thënë është që po bie pozitiviteti i mostrës që është nën 1 përqind, 0.8 për të qenë të saktë”, deklaroi sot Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, gjatë një komunikimi të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Në të gjithë vendin sipas të dhënave të ditës së mërkurë, rezultojnë vetëm 819 raste ende aktive. Përmirësimi i ndjeshëm i situatës, si pasojë dhe e procesit të vaksinimit, çoi dhe në vendimin e sotëm për lehtësimin e disa prej masave kufizuese.
“Nga 1 Qershori, hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Ora policore shtyhet në orën 23:00 – 06:00. Nga 15 Qershori, grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP. Nga 1 korriku, nëse situate vazhdon të mbetet e kontrolluar, ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00”, bëri të ditur drejtuesja e Komitetit, zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Po nga 1 Korriku, do të lejohet që aktivitetet sportive të ndiqen nga tifozë, por vetëm me 30 përqind të kapacitetit. E njejta gjë vlen dhe për teatrot e kinematë. Nuk ka asnjë ndryshim për klubet e natës dhe muzikën, që do jenë të ndaluara pas orës 22.00.
Autoritetet përsëriten thirrjet per nevojën e respektimit të masave. “Pavarësisht shifrave të një qëndrueshmërie disa javore, pandemia nuk ka përfunduar, edhe pse dendësia e qarkullimit të virusit është e ulët, edhe pse pozitiviteti i mostrës, mbetet në shifrat që thamë, është e rëndësishme të vijojmë të zbatojmë masat”, theksoi zonja Fico.
Por këto thirrje ngjajnë më tepër të hedhura në boshllëk, sikundër dhe lehtësimi i masave të sotme duket thjesht zyrtarizim i realitetit të përditshëm, përsa kohë në rrugë ata që mbajnë maska tanimë numërohen me gishta, ndërsa respektimi i kufizimit të lëvizjes thuajse anashkalohet edhe nga vetë autoritetet.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)