Tiranë,12prill 2021 – Komiteti i Ekspertëve i Shqipërisë pas vlerësimit të situatës së pandemisë ka vendosur të lehtësojë disa nga masat e vendosura për parandalimin dhe mospërhapjen e koronavirusit.
Komiteti vendosi që nga sot, ditë e hënë, të shtyjë orën policore për qarkullimin e qytetarëve nga ora 20:00 në 22:00 dhe orarin e punës së bareve dhe lokaleve.
“Në vlerësim të situatës dhe indikatorëve dhe ecurisë së planit të vaksinimit masiv sot ka vendosur të ndërmarrë disa masa të reja. Komiteti ka vendosur të zgjasë orën e qarkullimit nga ora 22:00 e mbrëmjes duke filluar nga dita e nesërme. Zgjatet dhe orari i hapjes së bareve dhe restoranteve”, tha minisrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Ajo bëri të ditur se do të rihapen edhe fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa masat tjera – si mbajtja e maskës në të gjitha ambientet e hapura dhe të mbyllura, do të qëndrojë.
“Të gjitha masat e tjera do të qëndrojnë siç janë. Kemi propozuar rihapjen e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar. Më duhet të shtoj se kemi patur një tjetër arsye që na ka motivuar në vendimin tonë. Lehtësimi i argjerimit për besimtarët myslimanë, në muajin e shenjtë të Ramazanit, që nis në datën 13 prill”, deklaroi ministrja Manastirliu.
Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe këto masa do të aplikohen për dy javë, deri më 26 prill, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Komiteti Teknik i Eksperteve e argumentoi vendimin me rënien e infektimeve me koronavirus në vendin tonë gjatë 2 javëve të fundit.
Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri tani, në këtë vend janë vaksinuar mbi 250 mijë persona.
Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 128.300 persona janë infektuar me koronavirusin e ri.
Prej tyre 2.317 pacientë kanë vdekur.
(r.m.)