Rrezik kishte zjarri në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit në Vlorë, por ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se gjendja është qetë
Knid Ndrenika
Bashkimi Europian njoftoi se aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, si dhe Maqedonisë Veriore, Italisë dhe Greqisë në luftën e vështirë të përballimit të zjarreve në territore të mëdha.
Ndihma e Bashkimit Europian për Shqipërinë është me dy helikopterë nga Republika Çeke dhe nga Holanda për të mbështetur operacionet në terren.
Shqipëria ka 1 jetë të humbur nga zjarret që kanë përfshirë 10 nga 12 qarqet, që janë ndarje administrative vendore.
Zonat tepër të rrezikshme dhe me rindezje të zjarreve janë në Vlorë, Gjirokastër dhe Kurbin pothuajse prej dhjetë ditësh.
Ndërkaq, më shumë se pesëqind trupa të ushtrisë dhe mjete të Forcave të Armatosura janë përfshirë në operacionet e shuarjes së flakëve.
Zjarret janë shfaqur nga temperaturat e larta si dhe nga shtetas të dyshuar me qëllim të përfitimit të kullotave të bagëtive.
Të paktën pesë shtetas janë arrestuar apo shoqëruar nga policia për zjarrëvënie të qëllimshme.
Si dhe Gjirokastra, Vlora është qarku ku zjarret thuajse nuk po mund të shuhen në gadishullin e Karaburnit, pranë Parkut Kombëtar të Llogarassë, Dukat dhe deri në Himarë e Sarandë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka qenë në vazhdimësi në Vlorë, ndonëse duke u shfaqur më i qetë, por duke pranuar rrezikun e madh që përfshi ptrej zjarreve Bazën Ushtarake Detare të NATO-s, në Pashaliman:
“I kemi të forta dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, shtuar kushtet atmosferike. Tani që flasim vatrat janë fikur. Në Vlorë kishim dislokuar një numër shumë të madh trupash në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, edhe zjarrfikëse, që vepruan menjëherë edhe është shmangur më e keqja. Është fikur zjarri”.
Zyrtarët e shtetit dhe opozita e kanë falenderuar Brukselin për dërgimin e ndihmës me dy helikopterë.