Pas dy vjetësh 2019-2021 presidente e radhës të SEDM-it, Shqipëria ia kaloi detyrën Bullgarisë
Knid Ndrenika
Shqipëria theksoi vendosmërinë dhe përkushtimin për të vazhduar promovimin e rëndësisë të nismës së SEDM-it, si një mekanizëm i suksesshëm i ndërtimit të sigurisë në Evropën Juglindore.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici e garantoi SEDM-in pasi Shqipëria përfundoi kryesimin e kësaj nisme.
Pas udhëheqjes së nismësn ndërmjet viteve 2019-2021 Shqipëria e dorëzoi detyrën te Bullgaria.
Kësisoj, Shqipëria tha se “ka përmbyllur zyrtarisht kryesimin e Sekretariatit të Iniciativës së Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (South-Eastern Europe Defence Ministerial-SEDM), pas një periudhe të suksesshme që mbajti kryesimin nga viti 2019 deri në 2021”.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se anëtarët e Sekretariatit të SEDM-it morën pjesë në ceremoninë për dorëzim-pranimit të detyrës te pala bullgare.
Ceremonia u zhvillua në qytetin e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, vendi ku është dislokuar brigada e SEEBRIG.
“Shqipëria, – tha zëvendësministrja e Mbrojtjes, Bici, – ka arritur shumë gjatë këtyre dy viteve duke punuar së bashku me të gjithë partnerët tanë”.
“Shqipëria do të vazhdojë me po të njëjtin ritëm të mbështesë këtë iniciativë të rëndësishme rajonale”-shtoi ajo.
Zonja Bici vlerësoi komandantin e SEEBRIG, gjeneral brigade Aristeidis Iliopoulos dhe stafin e tij për punën dhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur sukses për të gjitha aktivitetet e SEEBRIG.
Gjithashtu ajo shprehu urimet më të mira Sekretariatit të ardhshëm SEDM të kryesuar nga Bullgaria dhe i siguroi mbështetjen e vendit tonë gjatë rrugëtimit të tyre.
Anëtarët shqiptarë, sipas ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, u vlerësuan me medalje nga kryetari bullgar i Sekretariatit të SEDM-it, për kontributin dhe punën e tyre dyvjeçare në këtë nismë.