Nga Ruben Avxhiu
Shqipëria ishte një nga pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat kërkuan një takim urgjent të Këshillit, për të dënuar lëshimin e një rakete të re balistike nga Koreja e Veriut.
Kjo provë ushtarake e vendit të izoluar komunist përbën një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe pesë vendet anëtare e quajtën thellimin e programit të armëve të shkatërrimit masiv si një kërcënim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Republika Popullore Demokratike e Koresë (e njohur më shumë si Koreja e Veriut, për ta dalluar nga vendi tjetër i gadishullit korean, Koreja e Jugut, që është një demokraci e tregut të lirë) tërhoqi vëmendjen e ekspertëve të sigurimit kur deklaroi pak ditë më parë se kishte lëshuar raketën e dytë supersonike që prej shtatorit. Synimi ishte demonstrimi i kapacitetit luftarak të shtetit që pretendon se ka aftësinë që të godasë jo vetëm Japoninë e vende të tjera në rajon por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit i kanë ndaluar këto prova për të ulur tensionet në rajon, por Pjongjangu jo rrallë shpërfill systemin ndërkombëtar.
Ngjarja e fundit ka nxitur disa nga vendet anëtare që ta shqyrtojnë situatën. Shqipëria, e cila sapo ka filluar anëtarësinë e saj në Këshillin e Sigurimit u është bashkuar SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Irlandës në një takim që nuk u zhvillua pa praninë e medias. Shqipërinë e përfaqësonte Ambasadori Ferit Hoxha. Në fund, të pesë ambasadorët dolën përpara medias me një deklaratë të përbashkët. Atyre iu bashkua edhe Ambasadori i Japonisë, si vend i prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kërcënimi korenoverior.
“Qendrojmë sot të bashkuar në dënimin që i bëjmë RPDK-së (lexo: Koresë së Veriut) për lëshimin më të fundit të një rakete balistike, për të cilën Këshilli i Sigurimit do të diskutojë së shpejti”, tha Ambasadorja Amerikane, Linda Thomas-Greenfield, duke lexuar deklaratën në emër të të gjashtë vendeve.
Ajo tha se këto prova armësh të këtij kapaciteti dhe program bërthamor koreanoverior “rrisin rrezikun e ndonjë gabimi në llogaritje dhe përshkallëzimi, si dhe përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm ndaj stabilitetit rajonal”.
Duke vënë në dukje historinë e gjatë tashmë të prodhimit dhe zgjerimit të armëve të tilla nga Koreja e Veriot, Ambasadorja e SHBA-së në OKB tha se “çdo raketë që lëshohet shërben jo vetëm për të përparuar kapacitetet e vetë RPDK-së, por edhe për të zgjeruar arsenalin e armëve të disponueshme për t’ua eksportuar në ,mënyrë të paligjshme klientëve dhe tregëtarëve në mbarë botën”.
“RPDK i bën këto investime ushtarake në kurriz të mirëqënies së populli koreanoverior. Populli i Koresë së Veriut vazhdon të vuajë nga një regjim i rreptë autoritarian dhe duke përjetuar një krize humanitare gjithnjë e më sesioze”, thuhej në deklaratën e gjashtë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Deklarata i bëri thirrje Koresë së Veriut që të mos kryejë më veprime destabilizuese, të braktisë programin e ndaluar të armëve të shkatërrimit masiv, dhe të angazhohej në dialog të sinqertë “për synimin tonë të përbashkët të çnuklearizimit, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Kjo është e vetmja mënyrë për ne për të arritur paqen afatgjatë në Gadishullin Korean”.
Shqipëria dhe aleatet e saj bënë thirrje në këtë deklaratë që Këshilli i Sigurimit të bashkohej për të dënuar në mënyrë unanime veprimet destabilizuese dhe të paligjshme të Pjongjangut dhe të gjithë vendeve anëtare që të përmbushnin sanksionet që rrjedhin nga rezolutat e Këshillit.
“Synimi ynë mbetet çnuklearizimi i plotë, i verifikueshëm, dhe i pakthyeshëm i Gadishullit Koeran. Jemi të përgatitur që të angazhohemi në dhe të mbështesim diplomacinë serioze dhe të qendrueshme në këtë drejtim. Tani është RPDK-ja që duhet të zgjedhë dialogun dhe paqen në vend të programit të saj të armëve të paligjshme dhe kërcënuese”, përfundoi deklarata e përbashkët e SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, Irlandës dhe Shqipërisë.
Armët supersonike sipas ekspertëve janë shumë më kërcënuese sepse mund të udhëtojnë më ulët, shumë më me shpejtësi dhe është më e vështirë që t’i perceptosh dhe rrëzosh sesa raketat tradicionale. Vetëm SHBA, Rusia, dhe Kina kanë një teknologji të tillë.
Për Shqipërinë që sapo ka filluar anëtarësinë e saj në Këshillin e Sigurimit kjo është hera e parë që po bëhet pjesë e një nisme për të futur një takim të papritur në kalendar, duke bashkëpunuar ashtu si pritet me aleatët tanë në Këshill e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.