Vota e Shqipërisë ishte kundër vendimit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump në Uashington dhe sipas linjës së Bashkimit Europian
Denion Ndrenika
Shqipëria u bashkua me 128 vende kundër politikës së qeverisë amerikane për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit.
Votimi u krye pragmbrëmjen e së enjtes me kohën në Tiranë, përkatësisht rreth orës 18:21 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Vota e Shqipërisë ishte kundër vendimit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump në Uashington dhe sipas linjës së Bashkimit Europian.
Rezoluta e miratuar nga 128 vende, përfshi Shqipërinë, u hartua për të kundërshtuar njohjen e Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit nga zoti Trump.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Shqipëria, pas deklaratës së Konferencës së Vendeve Islamike, del kundër politikës amerikane.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime në rezilutën kundër Uaishingtonit.
Presidenti Donald Trump pret një raport për vendet që votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, sipas porosisë që i dha ambasadores amerikane në OKB, Nikky Haley.
Më herët ambasadorja Haley kishte paralajmëruar sipas televizionit “Ora News” në Tiranë, përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbante shënim emrat, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për rezolutën që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Televizioni “Ora News” raportoi se ambasadorja Haley përsëriti vendosmërinë e SHBA-së për të zhvendosur ambasadën e vendit të saj në Jeruzalem, siç tha duke qenë “ajo që na kërkon populli amerikan dhe është veprimi i drejtë që duhet bërë”.
Zonja Haley, bashkëshortja e një shqiptaro-amerikani, siç ka pohuar vetë, foli në seancën urgjente të Asamblesë së Përgjithshme përpara votimit të rezolutës.
Shtetet e Bashkuara kërkuan respekt nga të tjerët duke qenë sipas ambasadores Haley, ndihmëtarja më e madhe e Kombeve të Bashkuara.
“Ne do t’jua themi ndershmërisht: kur ne japim kontribute zemëgjera për Kombet e Bashkuara, ne kemi gjithashtu shpresën legjitime se dëshira jonë e mirë do të njihet dhe do të respektohet”-tha ambasadorja Haley.