Tiranë, 17 shkurt 2022 – Shqipëria ka nisur sot (e enjte) lëshimin e lejeve të qëndrimit për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Shqipëri, bazuar në një marrëveshje të nënshkruar në mbledhjen e fundit të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në Elbasan.
Në një postim në Facebook, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar se ky dokument biometrik me afat 5 vjeçar është i pajisur me të gjithë elementët e sigurisë dhe shërben edhe si leje pune.
“Dy kartat e para iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë”, ka thënë Rama, duke shtuar se procedura bëhet nëpërmjet një aplikimi online, tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente.
Në pamjet e publikuara nga Rama, dy të rinjtë nga Kosova priten nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Sot kam kënaqësinë të jap dy kartat e para të lejeve të qëndrimit të dy shqiptarëve shtetas të Kosovës. Leje qëndrimi 5- vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit të ri që kemi bërë për të lehtësuar pikërisht këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes që bëmë me qeverinë e Kosovës”, ka thënë Çuçi.
Sipas ministrit të brendshëm, Kosova gjithashtu ka filluar të aplikojë lëshimin e lejeve biometrike të qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë.
(r.m.)