Për poezinë “Shqipëria” mësova krejt rastësisht. Eduardo C. Corral, fitues i Yale Series of the Younger Poets Prize për vitin 2012, më dërgoi një link përmes Facebook-ut sipas të cilit revista The Beloit Poetry Journal kishte shpallur ndarjen e çmimit vjetor të 20-të Chad Walsh Poetry Prize. Shpërblimi, që kishte vlerën e 4000 dollarëve amerikanë, për vitin 2012, i ndahej Elizabeth T. Gray, Jr. për poezinë e cila titullohej Shqipëria. E lexova poezinë me shpejtësi njëherë dhe u pushtova nga një tis lumturie. Pastaj e lexova për sëdyti. Pastaj për sëtreti… Asessi nuk mundja të shkoqesha nga kënaqësia e të lexuarit të saj. Pasi që përfundova së lexuari poezinë per të gjashtën herë, i premtova vetes se në qoftë se kisha mësuar për poezinë rastësisht, për autoren e saj do të mësoja me qëllim. Doja ta falenderoja para syve.
Zonjën Gray, Jr. e takova disa javë më vonë. Ajo kishte diplomë me rezultate të shkëlqyeshme nga Radcliffe College në Harvard University, doktoratë drejtësie nga Harvard Law School, si dhe gradën Master i Arteve të Bukura nga Programi për Shkrimtari në Wilson College. Përpos kredencialeve akademike amerikane, ajo kishte studiuar edhe në Universitetin Aligarh në Indi, në Akademinë Imperiale Iraniane për Filozofi në Teheran dhe Universitetin e Isfahanit në Iran. Për më shumë, unë zbulova që kjo grua e gjithanshme ishte eksperte e negociimeve komplekse lidhur me ndërtimin e aleancave strategjike dhe formave tjera të bashkëpunimit inter-organizacional dhe klientët e saj ishin kompani dhe organizata të fuqishme botërore; ishte përkthyese letërsie nga persishtja dhe gjuha e Tibetit; dhe shkruante edhe poezi.
Me njohuri të thella mbi shumë letërsi botërore dhe me përvojë në shumë teknika dhe forma poetike, Gray, Jr. në vjershën “Shqipëria” përdorë një vistër elementesh të gazalit, një formë kjo poetike antike me dyvargësh rimues dhe refren. Gazali në anglishte lejohet të jetë më ndryshe nga forma e tij tradicionale në gjuhët tjera, por në vjershën “Shqipëria” refreni mund të vërehet lehtësisht në përsëritjen e emërtimit Shqipëria. Në përshtypje të parë poema mund të duket të jetë mbi udhëtimin një ditor që zonja Gray, Jr. e kishte bërë në jug të Shqipërisë në vitin 2005, porse, pavarësisht titullit dhe fabulës lucide, vjersha, në fakt, është mbi një temë më të madhe se vendi Shqipëri: ajo është një krijim mbi mallin njerëzor për të pengueshmen; mbi vullnetin për t’mos ju drojtur të ndaluarës.
Shqiptarët ishim të izoluar prapa perdes së hekurt të komunizmit për gati pesë dekada. Shqipëria jonë duroi zgjedhën e mbylljes dhe diktaturës kudo që jetuam; sidoqoftë, siç e dëshmon poezia e Elizabeth T. Gray, Jr., në botë kishte njerëz të cilët mendonin për ne dhe dëshironin të ishin miqtë tonë. Ndihem i nderuar që u takova me zonjën Gray, Jr. dhe shfrytëzoj rastin të falenderoj atë edhe publikisht. Por, kur flet poezia, njerëzit do të duhej të jenë të heshtur dhe të dëfrehen në magjinë e saj, prandaj fjalët e mia do të përfundojnë këtu ndërsa përfundi secili do të mund të lexojë vjershën e Elizabeth T. Gray, Jr. “Shqipëria” për vete.
Shqipëria
Elizabeth T. Gray, Jr.
Të dielën shkova në Shqipëri.
Qartësisht, në fillim, askush nuk e kuptoi pse unë apo kushdo do të shkonte në Shqipëri.
Përveç babait tim, i cili u shpreh menjëherë: “Ngase, përpara, njeriu nuk mund të shkonte në Shqipëri”.
Më herët, kurrë nuk më kishte rënë ndërmend, që vërtetë të shkoja në Shqipëri.
Për vite ajo ishte aty, si planeti Mars, hapësira e mistershme në atlas e quajtur Shqipëri.
Qeveria jonë thoshte nuk mund të shkoni në Shqipëri.
Pasaporta do të vetë-zhdukej, kujtoja, nëse do të shkoje në Shqipëri.
Mesjeta me raketa, atje në Shqipëri.
Dhe për më tepër Kina, në Shqipëri.
Por mandej papritmas ishte e dielë, dyzet vjet më vonë, dhe ja ku ishte ajo. Unë isha te kufiri me Shqipëri.
Aty është një ngushticë e hollë, me ujëdhesa të vogla. Ti e paguan kapitenin e ferribotit dhe ai të çon në Shqipëri.
Në të kaluarën, njerëzit që tentonin të iknin duke notuar qëlloheshin nga ushtarët në llogore dhe kulla vrojtuese të cilat ishin roje në Shqipëri.
Të gjithë ishin të befasuar kur u nisa, vetëm, për Shqipëri.
“Marrë parasysh historinë e saj, a ishit të merakosur kur nëna juaj iku në Shqipëri?”
“Jo. Mbase, një çikëz,” u përgjigjën fëmijët e mi. “Ajo asnjëherë nuk e kishte përmendur vendin Shqipëri.”
Kur u ktheva secili më pyeti si ishte në Shqipëri.
Ata thanë, “Çfarë pave në Shqipëri?”
Fillova të përgjigjesha por ishin të nginjur Shqipëri.
Ndoshta ishte e vështirë për ta. Ideja për një Shqipëri.
Mbase ata nuk kishin pasur kurrë Shqipëri.
Nuk ishin të panikosur. Nuk pyetën, “Çfarë do të bëjmë, tash që mund të shkojmë në Shqipëri?”
Tashmë kanë kaluar disa ditë. Gati sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Thuase nuk kam shkuar ndonjëherë në Shqipëri.
Harta tregon dy porte dhe disa limane të vogla, por nga kjo largësi në det të hapur dritat nuk duken asgjëkundi përgjatë bregdetit në Shqipëri.
Ndërsa lundrojmë drejt veriut, diku në anën e djathtë të anijes, e rrëpirët dhe me borë, është toka me emrin Shqipëri.
Elizabeth T. Gray, Jr. flet për poemën e saj “Shqipëria”
Kur e nisa vjershën “Shqipëria” pas vizitës sime në Shqipëri, mendova që ishte një vjershë për Shqipërinë.
Për Shqipërinë mësova nga pasaporta ime e parë amerikane. Më kujtohet që në faqet e saj shkruante: “Kjo pasaportë bëhet e paligjshme nëse bartësi i saj udhëton në Kubë, Republikën Demokratike Popullore të Koresë, ose Shqipëri.” Ishte viti 1962 dhe Lufta e Ftohtë në kulmin e saj. Unë e dija që Kuba dhe Koreja Veriore ishin mëkatare, por çfarë dhe ku ishte Shqipëria? Ç’kishte bërë? Është si Bashkimi Sovjetik, thonin. Por në harta ngjyra e saj nuk ishte e njëjta e kuqe. Paj, thonin, shiko, komunistët e saj janë me kinezët. Mirëpo hartat ishin shumë precize: Shqipëria nuk ishte askund afër Kinës. Ishte afër Italisë dhe skaj Greqisë. Athua kishte raketa? A ishin Greqia dhe Italia të frikësuara? Askush nuk mund të më thoshte asgjë.
Kisha menduar se kisha harruar çdo gjë për Shqipërinë. Dhe ndërsa nuk i ipja asaj vëmendje të veçantë më; ndërsa rritesha dhe studioja dhe gjezdisja autostop në Indi dhe përktheja poezi persiane dhe studioja drejtësinë dhe konsultoja korporata të ndryshme dhe martohesha dhe rrisja binjakë; ndërsa pra i kisha duart plot, Pakti i Varshavës u shkatërrua dhe Shqipëria, si fqinjët e saj, u bë diçka tjetër.
Me 2005, ndërkaq që unë dhe burri im po shikonim në hartat detare të planifikonim një verë me fëmijët tonë në Egje dhe Adriatik, venerova se ne do të lundronim përskaj Shqipërisë. Dhe a nuk ishte Shqipëria e lirë tashmë? Tani njeriu mund të shkonte në Shqipëri. Kishte libra udhërrëfyes që përshkruanin hotelet dhe bar-kafetë në Tiranë. Athua do të mund të hynim në dok atje? Mund të hidhnin spirancën dhe të vizitonim Shqipërinë?
Përgjigjja ishte, “Jo.” Kufiri bregdetar ishte i paarritshëm. Anijet private nuk mund të ankoronin në Shqipëri. Raporti i Marinarëve (Notice to Mariners) i secilit shtet na tërhiqte vërejtjen të rrinim larg Shqipërisë.
Por Shqipëria u bë vendi i vetëm ku doja të shkoja gjithsesi. Isha e paepur. Do të shkoja në Shqipëri. Dhe, nuk mund ta shpjegoja këtë.
Një mëngjes të diele në Korfuz gjeta një firmë që organizonte eskursione dhe me ferribot shkova nga Korfuzi në Sarandë dhe prej aty, sëbashku me njëqind turistë gjermanë dhe holandezë, me autobus, në Butrint. Ciceroni ynë na tregonte për historinë e Shqipërisë dhe të gjitha ndryshimet që kishin ngjarë “prej vitit 1992.” Nuk mora vesh asgjë se çfarë kishte ndodhur me 1992. Por Shqipëria ishte pamohueshmërisht reale: porti i ndriçuar nga dielli me dy anije mallrash të ankoruara, doku i gjallë me qenë, shitësit e frutave dhe shumë fëmijë, ca makineri të ndryshkura të mbuluara me barishte, kopshtet e lulëzuara dhe shtëpitë e lyera me bojë të bardhë, qyteti joshes i Butrintit, i cili dukej si pjellë e përzier e Angkorit dhe Delfit.
Më vonë, kur fillova të shkruaja vjershën time për Shqipërinë, isha e mbushur me një ndjenjë të humbjes dhe me trishtim të pamasë. Duke e pasë gjetur dhe prekur tokën ekzistuese të Shqipërisë disi kisha humbur një pjesë të rëndësishme të gjeografisë psikike, Veriun Magnetik. E kisha humbur idenë e Shqipërisë, asaj Shqipërie, e cila kishte qenë një hutim i çmueshëm, një pamundësi e rëndësishme. E kreva poemën dhe kujtova se e kisha kryer me Shqipërinë.
Kur u botua vjersha me 2011, fillimisht në The Beloit Poetry Journal dhe pastaj në antologjinë Best New Poets 2012, papandehur zbulova që Nju Jorku dhe Facebooku ishin dëng me shqiptarë. Tanimë kam shumë miq nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Ata më kanë treguar për historinë e vjetër dhe të re të shqiptarëve si dhe letërsinë dhe kulturën e tyre. Shumë nga ta më kanë dhuruar novela dhe libra me poezi shqiptare të përkthyera në anglisht, dhe njëri prej tyre— Uk Lushi— sot po u prezenton vjershën time “Shqipëria” të gjithë atyre që lexojnë shqip.
[teksti hyrës i Uk Lushit, ai i zonjës Grey Jr. dhe vjersha janë botuar sëpari anglisht në gazetën Illyria të Nju Jorkut- përkthimi i tyre në shqip është bërë nga Uk Lushi]