Shqipëria nuk do tjetër veç 3 pikët ndaj San Marinos - ILLYRIA

Shqipëria nuk do tjetër veç 3 pikët ndaj San Marinos

Pas fitores historike kundër Hungarisë në stadiumin “Elbasan Arena”, Kombëtarja shqiptare ka nisur këtë të hënë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj San Marinos, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët kuqezi, Endri Çekiçi dhe Marash Kumbulla, të cilët kanë folur rreth ndeshjes ndaj hungarezëve si dhe për sfidën ndaj përfaqësueses së San Marinos.

Çekiçi, i cili luajti për më shumë se 20 minuta u shpreh i kënaqur nga loja që zhvilluan kuqezinjtë, duke theksuar se grupi i kësaj Kombëtareje ka në përbërje lojtarë të talentuar dhe në të ardhmen skuadra do të jetë kompetitive jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Ai foli edhe për ndeshjen ndaj San Marinos, ku theksoi se objektiv janë vetëm 3 pikët.

“Në pjesën e parë kemi bërë ndeshje të mirë edhe me Poloninë. Në pushim të ndeshjes dje, trajneri na tha që mos bënim të njëjtat gabime se mund të na përsëriteshin të njëjtat si në Poloni.

Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar, besoj se në vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon por edhe në botë. Aktivizimi? Natyrisht që çdo lojtar do të luaj, e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit, vjen gradualisht, edhe nëse nuk luaj do bëj maksimumin.

Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup.

Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do e shohim njëri-tjetrin për shumë vite. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi loja do vijë duke u përmirësuar”.

 

Marash Kumbulla, mbrojtësi kuqezi, nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren e arritur mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena” ndaj Hungarisë.

“Jam shumë i lumtur që mbrëmë fituam dhe gjithë skuadra luajti mirë. Unë besoj se përveç dy rasteve që pati kundërshtari mbrëmë paraqitja ishte në favorin tonë. 

Normale rezultati në Poloni tregon që nuk kemi bërë paraqitje të mirë ndaj Polonisë, por jam i lumtur për ndeshjen e djeshme. Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë këtu. Nuk kam problem të luaj me këdo që zgjedh trajneri.

Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm. E rëndësishme është të jesh pjesë e ekipit kombëtar. Kush luan do të japë 100 përqindëshin.

Dëshira jonë është të bëjmë më mirë, të shkojmë në play-off. Është e vështirë se janë ekipe të forta. Do të japim maksimumin në fushë, ishalla po shkojmë në play-off.

Rivalët për vendin e dytë? Besoj se të dyja skuadrat, Polonia dhe Hungaria, janë rival direkt. Kanë rivalitet, por unë besoj se janë të dyja në garë ende.”, ka përfunduar Kumbulla.