Shqipëria përgatitet të rifillojë prodhimin e armëve. Ministri Vëngu inspekton Uzinën e Gramshit

Tiranë, 28 gusht 2024 – Ministria e Mbrojtjes njofton se ministrI Pirro Vëngu e ka inspektuar të martën Uzinën Mekanike në Gramsh, e cila ishte dikur burimi kryesor i furnizimit të ushtrisë me armë të prodhuara në vend.

Vizita kishte qëllim vlerësimin e gjendjes aktuale të uzinës dhe vlerësimin e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore.

“Modernizimi i Forcave të Armatosura, zgjerimi i kapaciteteve dhe zhvillimi i Industrisë Ushtarake janë ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ka nisur puna për projektin që rikthen në qendër rëndese Industrinë Ushtarake me rikthimin në jetë të disa prej uzinave të lidhura ngushtë me zinxhirin e prodhimit të mallrave ushtarake”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se në fokus të kësaj ministrie është edhe Kombinati Mekanik në Poliçan, një aset tjetër i çmuar i industrisë ushtarake, i cili është jashtë funksionit,aktualisht. Ky kombinat do të jetë pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare për jetësimin e industrisë së mbrojtjes për të tërhequr investime të rëndësishme nga sektori privat, të cilat mund ta rikthejnë atë në një aset të rëndësishëm për mbështetjen e Forcave të Armatosura dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese për qëllime ushtarake dhe civile.

Riaktivizimi i fabrikave dhe uzinave për prodhimin e armëve parashikohet të bëhet sipas një formule të re të menaxhimit, nëpërmjet një shoqërie tregtare shtetërore që do ta drejtojë procesin e ringritjes së Industrisë së Mbrojtjes. Ministria njoftoi se kjo shoqëri do të marrë në zotërim aktivet e ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa fuqia punëtore aktuale do të vijojë marrëdhëniet e punës nën një perspektivë të re dhe premtuese.

“Shoqëria tregtare shtetërore ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të armëve, municioneve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, si edhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve të Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e ministries.

“Rijetëzimi i këtij sektori pritet të kontribuojë edhe në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

(r.m.)