Shqipëria pranon të presë 200 të burgosur shqiptarë nga Britania e Madhe

Tiranë, 24 maj 2023 – Shqipëria thotë se ka rënë dakord të presë 200 të burgosur nga Britania e Madhe, e cila do të mbulojë të gjithë koston e strehimit të të burgosurve për vuajtjen e dënimit të tyre të mbetur në burgjet shqiptare.

“200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit që vuajnë dënime me katër vjet burg ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare”, tha Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë në një njoftim për shtyp.

Ajo shtoi se, sipas kushteve të marrëveshjes, Britania do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për të gjithë kohëzgjatjen e dënimit në Shqipëri, duke i mundësuar Shqipërisë të investojë më tej në përmirësimin e kushteve në sistemin e saj të burgjeve.

Në prill, të dy vendet thanë përmes njoftimeve zyrtare se marrëveshja tjetër, ajo e kthimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, ka nisur të zbatohet gjithashtu, me rreth 1,000 persona të kthyer.

Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje në dhjetor për të trajtuar çështjen e migracionit të paligjshëm përmes një grupi të përbashkët pune, duke deklaruar se forcat e tyre të ligjit do të punojnë së bashku në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Që nga fillimi i këtij viti, rreth 15,000 shqiptarë kanë kaluar Kanalin e La Manshit, që ndan Francën nga Britania e Madhe, nga gjithsej 44,000 emigrantë që kanë mbërritur atje me gomone.

Kalimet me gomone janë kthyer në një çështje të madhe politike në Mbretërinë e Bashkuar, ku qeveria është nën presion për të bërë më shumë për të reduktuar emigrimin e paligjshëm dhe për të frenuar krimin e organizuar.

Në mars, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar propozoi një projektligj të ri “Ndal gomonet”, që synon të godasë emigracionin e paligjshëm, në shumë raste nga shqiptarët që përdorin gomone për të kaluar Kanalin e la Manshit nga Franca.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pretendon se projektligji i ri do ta bëjë më të lehtë për autoritetet ndalimin dhe dëbimin e njerëzve që mbërrijnë ilegalisht. Megjithatë, janë ngritur shqetësime se ai mund të jetë joefikas ose mund të trajtojë padrejtësisht viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe fëmijët e pashoqëruar.

Në mars, gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Londër, ai dhe homologu i tij britanik Rishi Sunak u zotuan të bashkëpunojnë më tej për çështjen e emigracionit.

(Reporter.al)