Instituti i Shëndetit Publik tha se mbrojtja më e mirë është vaksinimi me të dy dozat kundër COVID-19. Në gusht ka pasur më shumë raste të reja pozitive me Koronavirus se sa korriku dhe qershori bashkarisht.
Knid Ndrenika
Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron një rritje të re të rasteve pozitive, një lloj vale të katërt të përhapjes së Koronavirusit në Shqipëri.
Muaji gusht ka pasur më shumë raste të reja pozitive me Koronavirus se sa korriku dhe qershori bashkarisht.
Mjeku epidemiolog Artan Simaku foli ndërsa ministria e Shëndetësisë njoftoi 220 raste të reja, asnjë jetë të humbur dhe 31 të shëruar brenda 24 orëve të fundit.
“Në stinën e vjeshtës parashikohet rritje e numrit të rasteve, kryesisht te personat e pavaksinuar. Por, jo në formë vale siç valët që kemi kaluar vjeshtën edhe dimrin e kaluar”-tha mjeku Simaku.
Ai shtoi se mbrojtja më e mirë është vaksinimi me të dy dozat kundër COVID-19:
“Për të zbutur sa më shumë këtë valë, është i rëndësishëm vaksinimi i të gjithë personave mbi 18 vjeç”.
Shqipëria e ka Muaj të Hapur gushtin për vaksinimin e personave mbi 18 vjeç.
“Më të mbrojtur nga varianti “Delta” janë të vaksinuarit me të dy dozat. Karakteristikë e variantit “Delta” është që prek personat e pavaksinuar”-tha ai.
Megjithatë, sipas epidemiologut Simaku masat shtrënguese nuk janë ende çështje për t’u diskutuar:
“Nuk ka vend për masa të tjera”.
Dy mijë e 460 qytetarë kanë humbur jetën dhe 134 mijë e 201 janë prekur nga Koronavirusi që nga marsi 2020 kur u shfaq pandemia në Shqipëri.