Ministrja Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë u tha mediave në Tiranë se gjendja me COVID-19 është nën monitorim
Knid Ndrenika
Në Shqipëri, qeveria thotë se është shpejt për të hequr masat kufizuese të përhapjes së COVID-19 si dhe për të shpallur fitoren kundër pandemisë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se është ende shpejt që Shqipëria të heqë masat kufizuese të përhapjes së Koronavirusit.
Ministrja tha se gjithashtu është ende shpejt për të shpallur fitoren kundër pandemisë mbështetur në qëndrimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Masat në Shqipëri janë të intensitetit të ulët dhe mesatar, elastike, një situatë që të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm”-tha ajo.
Zonja Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë u tha mediave në Tiranë se gjendja me COVID-19 është nën monitorim.
“Duke përmendur atë që drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, ka deklaruar dje se është ende herët për të shpallur fitore, për të lëshuar të gjitha masat jomjekësore, për të marrë vendime, të cilat nuk janë të bazuara në situatën epidemiologjike dhe në indikatorët në vlerësim e sipër; të infektimeve ditore, rasteve të shtrimeve në spitale, humbjeve të jetës”-tha ministrja.
Në Shqipëri është vaksinuar 56 për qind e popullatës mbi 16 vjeçare dhe se Komiteti i Ekspertëve po vlerëson për dozën përforcuese të COVID-19.
“Jemi duke vlerësuar dhe ditët e izolimit në kuadër të variantit të ri Omicron, duke vlerësuar periudhën e karantinimit. Ndaj do të kemi një vendim”, – shtoi ajo.
Qëkurse pandemia u shfaq në 8-9 mars 2020, Shqipëria shënon 3,353 viktima, 260 mijë e 76 të prekur gjithsej dhe 18 mijë e 68 raste aktive.