Bernë, 19 mars 2024 – Një hulumtim i kryer nga Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës, i kryer për herë të parë pas 10 vitesh, tregon se gjuha shqipe është gjuha e dytë e huaj që flitet në Zvicër, pas gjuhës angleze.
Sipas të dhënave të hulumtimit, 292, 717 njerëz e kanë folur shqipen në Zvicër në vitin 2022. Kjo do të thotë se 3.4 për qind e qytetarëve të Zvicrës flasin shqip.
Zuerichu, Winterthuri, Baseli e St.Galleni janë qytetet ku shqipja flitet më së shumti.
Pas anglishtes dhe shqipes, si gjuhë e huaj më e folur në Zvicër është gjuha portugeze, në vend të katërt renditet spanjishtja dhe në vend të pestë serbishtja-kroatishtja-boshnjakishtja.
Por, kur bëhet fjalë për gjuhën e huaj që flitet në shtëpi, pas anglishtes renditet portugalishtja, me 3.6 për qind, ndërsa pas saj renditet shqipja me 3.3 për qind.
Gjuhët më të folura në Zvicër janë tri gjuhët zyrtare: gjuha gjermane, gjuha franceze dhe gjuha italiane.
(r.m.)