Shqiptar Demaçi: Demaçi e kritikoi Rugovën në një gjendje të pakontrolluar, si pasojë e diabetit

Prishtinë, 3 nëntor 2023 –  Dr Shqiptar Demaçi ka folur si asnjëherë më parë për relacionin mes babait të tij, Adem Demaçit, dhe Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Shqiptari ka folur për herë të parë edhe për deklaratën kritike të Demaçit për Rugovën. Ai ka thënë se babai i tij nuk ka pasur asgjë personale me Rugovën, por në kohën që e kishte bërë atë deklaratë kishte pasur probleme serioze shëndetësore, pasi vuante nga diabeti.

“Secili njeri kujton që ideja e tij është më e drejtë dhe më e rregullt. Kritikat e caktuara [nga Demaçi] kanë qenë jo personale, por kritika të çështjes profesionale, kritika të orientimit të asaj kohe, kështu që nuk ka qenë asgjë personale. Aq më tepër më vonë që baba ka pasur probleme edhe me sheqerin. Ky, sheqeri, është një gjendje që e bën njeriun më të ndjeshëm, është neuropatia diabetike, siç quhet në mjekësi, që ia dobëson edhe nervat. Do të thotë, njeriu i cili ka sheqer nuk e ka atë inhibicionin në rregull që vlerësojë drejt çka po thotë, kështuqë e thotë me të parën. Ai ka vuajtur prej sheqerit”, ka thënë ai.

“Bazamentin e njeriut nuk mund ta ndryshosh, por sheqeri është ai i cili e bën njeriun të mos e ketë atë inhibicionin që duhet ta ketë”, ka theksuar Shqiptar Demaçi.

Por, ai mendon se Demaçi ka qenë edhe viktimë e njerëve jodashamirës.

“Mes këtyre dy njerëzve absolutisht nuk ka pasur dashakeqësi. Deklaratat e mendimet e caktuara mund të jenë të çështjes profesionale. Vetë Ademi ka qenë pak viktimë e opinionit. Këto fjalë nuk janë ato të brendshmet të Ademit që ia thotë dikujt ashtu. Nuk janë fjalë të vetat burimore, por më shumë fjalë të mbledhura, të cilat ai i ka thënë me guxim, por i ka thënë në një gjendje kur e ka pasur sheqerin”, ka thënë Shqiptar Demaçi në emisionin “FAKTE” në televizionin Klan Kosova.

(r.m.)