10 vjet më parë, në 10-vjetorin e tragjedisë, 11 shtator 2010 – RIBOTIM
Nga Ruben Avxhiu
Ditën e shtunë, në 10 shtator, një grup shqiptarësh morën pjesë në një nga veprimtaritë më domethënëse që u zhvilluan këtë fundjavë në New York City me rastin e 10 vjetorit të sulmeve terroriste mbi Kullat Binjake.
Ishte një shërbim ndërfetar, që bashkonte klerikë, besimtarë dhe qyetarë të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme të qytetit. Bujtëse ishte Sinagoga Park East dhe udhëheqësi i saj shpirtëror Rabai Shnajer (Schneier).
Përveç tij, në altarin e sinagogës, folën dhe u lutën edhe i përndershmi At Mark Arey, prift ortodoks, e Përndershmja Katherine Rhodes Henderson, presidente e Seminarit Teologjik në Auburn dhe imami shqiptar Tahir Kukaj, nga Qendra Islamike Shqiptare në Staten Island (në fotografinë lart).
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Ann Schaffer nga Komiteti Hebre Amerikan (American Jewish Committee), një nga organizatat më të fuqishme të komunitetit hebre në SHBA dhe bashkorganizatore e Lutjes Ndërfetare për 11 Shtatorin.
Shumë besime – një civilizim
Reagimet pas tragjedisë së 11 Shtatorit kanë qenë të ndryshme në SHBA. Ai që ka arsye të jetë më krenari shquhet nga aftësia për të mbyllur e jo për t’i thelluar ndarjet, për të kuptuar dhe jo për të gjykuar, për të ndërtuar e jo për të shembur urat.
Nuk ka fitore mbi terrorizmin nëse nuk bëhet dallimi mes terroristëve dhe myslimanëve. Terroristët nuk kanë as shpirt e as fe. Ata që pas 11 Shtatorit reaguan duke sulmuar myslimanët, xhamitë, teqetë e këdo që u ngjante si arab, vetëm sa ndihmuan kauzën e Al-Kaedës. Shoqëria amerikane është shoqëri pluraliste dhe e hapur, kushdo që respekton ligjin dhe lirinë e të tjerëve gëzon të drejtën që të shijojë lirinë e tij për të folur atë që beson, për t’u lutur në mënyrën që beson dhe në fenë që i përket.
Bota e bashkuar mund ta mposhtë Al-Kaedën dhe në një farë mënyrë i ka dhënë goditje vdekjeprurëse që nga kufizimi i lëvizjeve financiare e deri te vrasja e kreut të saj, Bin Ladenit. Mirëpo, vetëm myslimanët mund ta varrosin vizionin dhe shpirtin e saj. Ashtu si ndonëse ishin ushtritë aleate që e mposhtën nazizmin, në fund të fundit, ishin gjermanët vetë ata që siguruan që ajo ideologji vrastare të mos ringjallej më kurrë mes tyre.
Çdo përpjekje për të dënuar të gjithë myslimanët për ngjarjet e 11 Shtatorit është në fakt përpjekje për t’ia “falur” ata Al-Kaedës për t’i grupuar ata me të, për t’i bërë me pahir aleatë me terroristët. Dhuratë më të mirë për Bin Ladenin nuk do të kishte.
Po ndërsa keqkuptimet e injoranca e nxjerr kokën nga pak kudo, më e pajustifikueshme ajo do të ishte në një qytet si New York City, ku njerëzit nga të gjitha kulturat e kombet e botës jetojnë së bashku në një hapësirë të ngushtë.
Në këtë prizëm, Lutjet Ndërfetare kanë qenë nisma të bukura dhe interesante që u kanë dhënë mundësi komuniteteve që të zbulojnë njëri-tjetrin, që të vrasin injorancën e bashkë me të edhe frikën dhe mosbesimin.
Shqiptarët që janë ndoshta nga modelet më të mira në botë të bashkëjetesës ndërfetare kanë pasur herë pas here mundësi të jenë të pranishëm në veprimtari që janë përshëndetur apo bekuar nga klerikë të feve të ndryshme. Para pak vitesh ata ishin pjesëmarrës të një nga lutjeve ndërfetare më të bukura në qytet, mbajtur në Katedralen e Shën Patrikut (St. Patrick Cathedral), një nga pikat më të vizituara në New York City.
Vizita e tyre këtë të shtunë në Park East Synagogue ishte vetëm një shprehje tjetër e tolerancës për të cilën lavdërohemi, madje për një rast shumë domethënës, si ai i 10-vjetorit të një tragjedie të shkaktuar në emër të fesë.
Duartrokitje në sinagogë për praninë e shqiptarëve
Edhe vendi ku u mbajt lutja ndërfetare ishte shumë i gjetur. Sinagoga e drejtuar nga Rabai Schneier është e shquar për kapërcimet e kufijve komunitarë e fetarë. Në kolltukun kryesor në altarin e sinagogës, ku qendronin klerikët e feve të ndryshme, para pak vitesh është ulur vetë Papa i Romës, Ati i Shenjtë për besimtarët katolikë. Po aty është ftuar që të flasë Kreu i Kishës Ortodokse të Amerikës.
Kur Rabai Schneier njoftoi besimtarët e tij se në sallë mes tyre ndodhej edhe një grup shqiptarësh, ata shpërthyen në duartrokitje.
Komiteti Hebre Amerikan (AJC) që kishte bashkorganizuar Lutjen, ka një histori të hershme bashkëpunimi me shqiptarët, komunitetin tonë dhe vetë gazetën “Illyria”. AJC e cila ka peshë edhe në politikën amerikane duartrokiti publikisht ndërhyrjen e NATOs për të shpëtuar shqiptarët në Kosovë dhe më pas mblodhi mbi 1 milion dollarë për refugjatët nga Kosova.
Në vite, ata kanë ndërtuar ura bashkëpunimi me komunitetin shqiptar në SHBA dhe me gazetën e komunitetit, “Illyria”-n. Në vitin 2008, ata ftuan botuesin e gazetës, Vehbi Bajramin që të bënte një vizitë në Izrael dhe sponsorizuan udhëtimin dhe qendrimin e tij. Këtë vit, kur Vehbi Bajrami botoi librin “My Visit to Holy Land” (Vizita ime në Tokën e Shenjtë), Komiteti Hebre Amerikan e vlerësoi kaq shumë librin sa që ia përcolli për lexim një rrjeti prej dhjetëra mijëra aktivistësh hebre në SHBA, duke e bërë librin më të lexuar nga hebrenjtë që është shkruar ndonjëherë nga një shqiptar.
Pothuajse të gjithë hebrenjtë me të cilët biseduam pas lutjes, në sallën e poshtëme ku u shtrua një drekë masive, ishin në dijeni të rolit të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Disa që nuk e dinin e kishin mësuar pikërisht kur kishin dëgjuar se një grup shqiptarsh do të vinin në sinagogë ditën e shtunë.
Dreka për më shumë se 200 vetë ishte paguar nga një çift besimtarësh të devotshëm të sinagogës, që kishin marrë përsipër të gjitha shpenzimet për të gatuar ushqime tradicionale hebreje si dhe pije e ëmbëlsira për të gjithë.
Ky nuk është një komunitet çfarëdo. Shumica e tyre janë banorë të lagjes të sipërme lindore të Manhattan-it, aktivistë në shumë nisma të qytetit dhe të mbarë Amerikës. Mes tyre janë disa nga biznesmenët më të fuqishëm të qytetit, njerëz me lidhje të forta që nga politika, financa, në media dhe në arte.
Një duartrokitje të fortë dhe ndonjë lot në sy u rezervua për një numër policësh dhe zjarrfikësish të ftuar në sesionin e lutjes, të cilët kishin marrë pjesë në përpjekjen heroike për të shpëtuar sa më shumë njerëz në ditën e tragjedisë 10-vjet më parë. Në këtë përpjekje qindra prej tyre dhanë jetën.
Rabai Arthur Schneier, figurë fetare legjendare në Amerikë
Udhëheqësi shpirtëror i kësaj sinagoge, Rabai Schneier është një nga klerikët më të famshëm të komunitetit hebre në SHBA. Personalitete të fushave të ndryshme këshillohen me të dhe e nderojnë.
Presidenti Bill Clinton e nderoi me Medaljen Presidenciale të Qytetarëve me motivacionin “si një i mbijetuar i Holokaustit që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar mposhtjes së forcave të urrejtjes dhe intolerancës ndërkohë që ka dhënë një shembull frymëzues të udhëheqjes shpirtërore duke inkurajuar dialogun ndërfetar, mirëkuptimin ndërkulturor dhe duke promovuar kauzën e lirisë fetare rretheqark botës”.
Ai ka qenë folësi kryesor në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare që organizoi dy vjet më parë Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite dhe ka pasur takime kokë më kokë me Papën Benedikt XVI në Vatikan për shqetësimet e hebrenjve për disa vendime të viteve të fundit të Kishës Katolike.
Në vitet 80, Rabai Schneier shërbente si ambasador alternativ i Amerikës në Kombet e Bashkuara. Ai ka qenë disa herë edhe në Shqipëri si dhe i tha gazetës sonë se mban kontakte me kryeministrin Berisha, të cilin e konsideronte si mik dhe e takonte sa herë që vinte në New Yok.
Shqiptarët patën rastin ta dëgjojnë dhe ta shohin nga afër gjatë hapjes së së një ekspozite në selinë e Kombeve të Bashkuara me fotografi të shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenjtë.
Rabai Schneier që edhe vetë i ka mbijetuar Holokaustit, tregoi për kohën kur si fëmijë jetonte në Hungari. “Ishte një fjalë që e dinim të gjithë, Tirana”, tha ai, duke treguar për kohën përpara fillimit të luftës, ku shumë pak shtete pranonin që t’u jepnin viza hebrejve që donin të largoheshin nga Gjermania e Austria drejt Amerikës apo Lindjes së Mesme. Shqipëria e Zogut ishte nga të rrallat që e bënte këtë.
Gjatë Lutjes Ndërfetare, ditën e shtunë, në sinagogën e tij, ai iu lut në veçanti ish-Ambasadorit shqiptar në OKB, Adrian Neritanit, që të ngrihej në këmbë për ta njohur komuniteti besimtar dhe ata e përshëndetën me duartrokitje të forta, diplomatin shqiptar.
Gjatë drekës, ai u ul përkrah Imam Tahir Kukajt për të cilin shprehu konsideratën më të lartë.
Viktima dhe heronj
Kujtimi i 11 Shtatorit nuk është i lehtë dhe këtë fundjavë, qyteti ynë, shoqëria amerikane, besimtarët dhe mbarë bota, patën një shans për të reflektuar edhe njëherë për frymën e të keqes që shkaktoi atë tragjedi, për viktimat e pafajshme që nuk kthehen më dhe për mënyrën se si u ngritëm në këmbë pas kësaj ngjarjeje.
Rabai Schneier tregoi për një grua të kongregacionit të tij që më në fund kishte marrë lajmin se kishin gjetur trupin e të shoqit. “Faleminderit Zotit”, kishte thënë ajo.
“Kjo grua e re me fëmijët e saj po falenderonte Zotin, jo për jetën po për mundësinë për t’i dhënë lamtumirën e duhur bashkëshortit e babait”, tregoi rabai. Ai foli për situatën gati absurde në të cilën ndodhen njerëzit e goditur nga tragjedia dhe për rëndësinë e madhe të mënyrës se si e përballojmë dhimbjen dhe humbjen dhe sesi ringrihemi në këmbë.
Imam Tahir Kukaj u solli të pranishmëve historinë e tragjedisë në familjen e tij në Kosovë, ku 26 të afërt kishin humbur jetën nga terrorizmi serb. Ai nënvizoi se Zoti nëse do të dëshironte do ta kishte bërë të gjithë botën në një fe apo në një komb. Larmia është dhuratë prej tij dhe çdo besimtar ka për detyrë ta respektojë atë, ishte këshilla e tij e urtë. Fjala e imamit shqiptar bëri përshtypje të thellë dhe meritoi duartrokitje.
Në fund, besimtarët hebre kënduan një lutje kushtuar kujtimit të viktimave të 11 Shtatorit dhe të shpëtimtarëve që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish që nuk i njihnin e që ishin të panjohur për ta.
Mes historive të ndryshme që u treguan për ata që humbën jetën në 11 Shtator, ajo që më la përshtypje më të thellë ishte e 55-vjeçarit Abe Zelmanovitz, një hebre ortodoks, që punonte si analist programesh në katin e 27 të Kullës Një në Qendrën Botërore të Tregëtisë.
Ndonëse ai ishte një kat relativisht të ulët dhe mund të kishte shpëtuar gjatë evakuimit, ai vendosi që të mos e linte vetëm shokun e tij të zyrës që ishte i paralizuar dhe lëvizte me karrocë invalidi. Ai njoftoi zjarrfikësit që të vinin ta merrnin kolegun që nuk mund të zbriste dot shkallët dhe mund të transportohej vetëm me një barrelë për shkak të peshës trupore.
Abe i telefonoi familjes dhe i tha se më në fund zjarrfikësit kishin mbërritur dhe kishte shpresa që ta shpëtonte shokun e zyrës. Ishte hera e fundit që dëgjuan prej tij. Pak minuta më pas e gjithë ndërtesa u rrëzua.
“Ai nuk qendroi për të vdekur, por për të ndihmuar”, tregoi një nga të afërmit e tij.
Kishte disa lloj njerëzish në atë tragjedi të 11 Shtatorit. Disa prej tyre vdiqën për të vrarë e disa vdiqën për të shpëtuar. Kujtimi i këtyre të dytëve na bën të gjithëve nga pak më të fortë e nga pak më të mirë.