Shqiptarët e Luginës protestojnë në Preshevë kundë diskriminimit nga Serbia

Preshevë, 23 shtator 2024 – Qindra qytetarë shqiptarë nga Lugina e Preshevës morën pjesë në protestën kundër diskriminimit të tyre nga regjimi I Beogradit.

Të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”, marshuesit kaluan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës, pranë institucioneve shtetërore, ndërsa në duar mbanin pankarta me thirrjet për ndërprerjen e akteve diskriminuese, si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip”, “Kthema adresën”, etj.

Marshuesit, të cilëve u prinin përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, u ndalën pranë ndërtesës së Komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.

Ardita Behluli nga Këshilli organizativ i protestës tha se parakalimi i sotëm është thirrje për drejtësi, barazi dhe demokraci dhe një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës.

“Gjatë ecjes tonë të përbashkët kaluam pranë institucioneve shtetërore të cilat edhepse veprojnë me një komunë me 95 për qind shqiptarë vazhdojnë avazin e vjetër të diskriminimit, nëpërkëmbjes e shkeljes së të drejtave elementare të shqiptarëve. Prandaj dhe ishte detyrë e jona që atyre t’u tregojmë dhe nga ta të kërkojmë realizimin e kërkesave tona. Nga policia me mesazhin ‘ma kthe adresën’ kërkuam ndërprerjen e menjëhershme të pasivizimit të adresave dhe kthimin e adresave të pasivizuara. Nga shtëpia e shëndetit kërkuam që të kthehet në rolin e saj bazë dhe të mos vazhdojë të mbetet institucioni që është shndërruar në simbolin e diskriminimit të shqiptarëve përgjatë punësimeve aty”, tha ajo.

Zonja Behluli tha se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të vjetra dhe se ato vazhdojnë të shpërfillen nga shteti i Serbisë, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje të situatës nga institucionet ndërkombëtare.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojmë poashtu prani më të madhe dhe efektive të mekanizmave ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së shqiptarëve në Luginë”, tha ajo.

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një postim në Facebook. ka treguar se cilat kërkesa janë shtruar për autoritetet e Serbisë gjatë protestës:

“Para Stacionit policor u kërkua ndërprerja e procesit të pasivizimit selektiv dhe rikthimi i adresave të shqiptarëve të pasivizuara; në Shtëpinë e Shëndetit u kërkua që ky institucion të mos bëhet shtëpi e diskriminimit; pranë zyrës së Trupit Koordinues e quajtëm bashkë këtë instituciob Trup Çkoordinues;  para Gjykatës u kërkua rikthimi i këtij institucioni”, ka shkruar ajo.

“Sot, dëshmuam edhe një herë që shqiptarët e Luginës as nuk nënshtrohen e as nuk heshtin, edhe përkundër mos implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Beogradi. Betejat tona si shqiptarë do t’i vazhdojmë edhe më tej, sado e vështirë të jetë rruga deri në realizimin e plotë të të drejtave tona”, ka shkruar zonja Sinani.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që shqiptarët e Luginës së Preshevës hidhen në protestë me kërkesat si ndalimin e pasivizimit të adresave të tyre, kthimin e gjykatës në komunën e Preshevës, respektimin e marrëveshjeve politike, njohjen e diplomave të të rinjve që përfundojnë studimet në universitetet në Kosovë si dhe angazhim më të madh për integrimin institucional të tyre.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më 2020 Kosova dhe Serbia e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Ndërkaq, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Pas protestës së gushtit në Bujanoc, Qeveria e Serbisë, kishte thënë se ajo ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.

Qeveria serbe i kishte hedhur poshtë akuzat e deputetit Kamberi për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione duke thënë se nuk qëndrojnë.

Më 2001 ishte arritur një marrëveshje e njohur si Marrëveshja e Konçulit për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare nëpërmjet një procesi demokratik.

Në korrik të vitit 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatëpikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Qeveria serbe tha në gusht se ai plan u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013.

(Citatet nga Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë)