Shqiptarët e Luginës protestojnë nesër në Bujanovc kundër diskriminimit nga Beogradi

Bujanovc, 11 gusht 2024 – Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka ftuar për nesër një protestë gjithëpopullore kundër pasivizimit të adresave të shqiptarëve dhe kundër diskriminimit të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës.

Protesta me moton “Për identiteti dhe dinjitet”, do të mbahet në qendër të qytetit të Bujanovcit, në orën 11:00.

Kryetari i Këshillit, Nevzad Lutfiu, ka thënë se pasivizimi i adresave është problemi kryesor i shqiptarëve në Luginë.

“Jemi duke punuar për të realizuar një protestë paqësore, gjithëpopullore. Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar i ka prekur kufijtë e racizmit, nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare në vendin tonë pa u prekur nga procesi i pasivizimit të adresave. Përmes pasivizimit Serbia po ua heq qytetarëve të drejtën e votës, andaj u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të korrigjojnë këto shkelje pa vonesa të mëtejshme”, ka thënë Lutfiu të dielën.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherësh zëvendëskryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se pasivizimi i adresave po bëhet qëllimshëm, për ta shpopulluar këtë pjesë nga shqiptarët.

“E njëjta nuk ndodh në komuna të tjera të Serbisë sepse ka migrim të popullsisë edhe në Serbi në brendi edhe në komunat me shumicë absolute serbe, por kjo gjë ndodh vetëm në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që lë të kuptohet se është një program për të ulur në mënyrë drastike e masive numrin e shqiptarëve në këto 3 komuna duke u përpjekur që këto t’i vlerësojnë si komuna serbe”, ka thënë Mustafa.

Shumë shqiptarë janë hequr nga lista e banorëve rezidentë dhe nga lista e votuesve, por numri i saktë i atyre që tashmë konsiderohen “të huaj” në vendbanimet e tyre nuk dihet.

Liderët politikë shqiptarë thonë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në këto komuna bëhet me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të rajonit si edhe zvogëlimit të trupit votues të shqiptarëve. Serbia e bën këtë me qëllim që të ulë investimet në rajon, por edhe të ulë buxhetin për shërbime publike.

Kjo do të thotë se shqiptarëve në Luginë u ngushtohet përditë e më shumë hapësira për jetë. Përfaqësues të komunitetit shqiptar në Luginë e konsiderojnë këtë si një spastrim të qetë etnik dhe i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta detyrojë Serbinë të heqë dorë ga këto politika.

Të gjithë liderët politikë shqiptarë në Luginë u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në mënyrë masive në protestë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në thirrjen për protestë, ka thënë se të gjithë shqiptarët, pavarësisht prej dallimeve politike, duhet të ngrenë zërin bashkërisht kundër diskriminit.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës. Të nderuar shqiptarë të Luginës. Kanë mbetur edhe pak orë nga PROTESTA. Protestë për drejtësi, barazi. Kundër shtypjes, diskriminimit e shkeljes që na bëhet nga Beogradi. Të dalim bashkë, pa dallim. Të ngrisim zërin tonë. Për IDENTITET e DINJITET. Zërin e shqiptarëve të diskriminuar. Takohemi nesër në ora 11:00 në Sheshin e Bujanocit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se autoritetet serbe po përdorim mjete të ndryshme për të penguar pjesëmarrjen masive të shqëiptarëve në protestë.

“Në dritën e paralajmërimit të Protestës ‘Për Identitet e Dinjitet’ që do të mbahet të hënën, në ora 11:00 në sheshin e Bujanocit, po përballemi me një valë të re presioni dhe intimidimi nga ana e policisë dhe organeve ligjzbatuese në Bujanoc e në Vranjë”, ka shkruar ai në Facebook.

 Ai ka bërë të ditur se një qytetarë shqiptar është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e Facebookut të portalit lokal “Bujanovaçke”, me pretekst të “nxitjes së urrejtjes ndërnacionale”.

Kamberi e ka cilësuar këtë si përpjekje për dekurajimin e shqiptarëve që të marrin pjesë në prortestë.

“Kjo është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve, për të shpërqëndruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat tona legjitime, të cilat, Serbia i ka pranuar formalisht me nënshkrimin e tre marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptarë (2001, 2009 dhe 2013)”, ka shkruar ai.

“Pavarësisht këtyre tentativave për frikësim, ne do të jemi të vendosur dhe të palëkundur në përpjekjet tona për të drejta, për barazi e për liri. vKërkesa për vlerat demokratike, të drejtat tona, lirinë e shprehjes dhe dinjiteti ynë nuk mund të heshten me fushata frikësimi”, ka theksuar ai.

(r.m.)