Shqiptarët në Luginë të Preshevës e bojkotuan referendumin në Serbi

Preshevë, 16 janar 2022 – Shqiptarët e Luginës së Preshevës e bojkotuan referendumin për ndryshime kushtetuese në Serbi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafi, në një intervistë për televizionin public të Kosovës, ka thënë se ndryshimet e propozuara janë sipërfaqësore.

Ai ka theksuar se komunitetet joserbe në Serbi duan ndryshime të thella, duke filluar që nga neni i parë, i cili i trajton komunitetet si qytetarë të rendit të dytë.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë qenë për ndryshime kozmetike të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, derisa ajo nuk ndryshon në mënyrë substanciale. Neni i parë i kësaj kushtetute ende thotë se ky shtet është shtet i shumicës, me çfarë edhe i vendos në rend të dytë qytetarët e bashkësive tjera”, ka thënë Mustafi.

Ai ka theksuar se ndryshimet kushtetuese që pritet të bëhen ne Serbi nuk sjellin asnjë ndryshim të qëndrimit të Serbisë në raport me Kosovën, të cilën e quan krahinë të Serbisë, dhe asnjë përmirësim të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Është e pakuptimtë që shqiptarët të jenë pjesë e një referendumi kur kjo kushtetutë e konsideron Kosovën, ashtu si e konsideron. Për më tepër, këto ndryshime jo që i japin popullit shqiptar më shumë liri e barazi, por i vendos shqiptarët në raport më të pabarabartë me shumicën në Serbi”, është shprehur ai.

Mustafi e ka përshëndetur vendimin e  institucioneve të Kosovës që të mos lejohet organizimi i referendumit në territorin e Kosovës.

“Mendoj se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj. Duke qenë në të drejtën e saj është në të vërtetën e saj. Ne e kemi mbështetur këtë vendim dhe konsiderojmë se duhet të vijë një moment që Republika e Serbisë ta pranojë realitetin në terren”, ka thënë Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi.

Referendumi që u mbajt të dielën në Serbi kishte për qëllim krijimin e bazës kushtetuese për depolitizimine sistemit të drejtësisë. Me ndryshimet e propozuara, emërimi i gjyqtarëve do të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, kurse emërimi i prokurorëve do të bëhet nga Këshilli i Lartë Prokurorial. Deri më tash, emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë nga Kuvendi i Serbisë.

Serbia ishte e detyruar t’i bëjë këto ndryshime, për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

(r.m.)