Shqiptarët në Luginë të Preshevës e mirëpresin reciprocitetin, ndonëse i dëmton

Preshevë, 21 shtator 2021 – Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit më Serbinë për target e automjeteve është për t’u mirëpritur.

Ajo ka thënë se fuqizimi i sovranitetit të Kosovës është edhe në interes të Luginës së Preshevës.

“E mirëpresim çdo vendim që sovranizon Republikën e Kosovës, si masat e reciprocitetit lidhur me përdorimin e targave të përkohshme të shtetasve të Republikës së Serbisë. Procesi i fuqizimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës është edhe në interes të Luginës së Preshevës”, ka thënë ajo për Gazetën ”Express”

Zonja Sinani ka thënë se reciprociteti për targat me Serbinë do t’i prekë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, por ka theksuar se nga Qeveria e Kosovës pret lehtësime për ta.

“Besojmë se edhe procesi i masave të reciprocitetit i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shoqërohet ditëve në vijim me vendime në interes të Luginës e Preshevës. Në rastin konkret me vendime që do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe të Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Lidhur me vendimin për vendosjen e reciprocitet me Serbinë për target e automjeteve kafolur edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Edhe ai ka thënë se vendimi për reciprocitetin do t’i dëmtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Sigurisht që shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’ju shkaktojë telashe shtesë”, ka thënë Kambeëri për Gazetën “Express”.

Por, ai ka thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar i takon Serbisë, sepse ajo s’i ka respektuar marrëveshjet e arritura gjatë dialogut në Bruksel.

“Duket theksuar se është Serbia ajo që nuk po i respekton disa marrëveshje të arritura në Bruksel, e në mesin e tyre edhe marrëveshjen në lidhje me tabelat e regjistrimit. Prandaj, në situatë të këtillë, ajo e mban fajin për situatën më të re”, është shprehur ai.

Kamberi e ka cilësuar si “problematic” edhe qëndrimin e BE-së ndaj mosrespektimit të marrëveshjeve nga Serbia.

“Është problematik edhe vetë qëndrimi i BE-së, si moderuese e marrveshjeve Kosovë -Serbi për mosrespektimin e tyre nga ana e Serbisë. Kjo, mosrespektimi i marrëveshjes lidhur me tabelat, theksohei në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Serbinë të vitit 2020, por, mjerisht, nuk ka pasur asnjë veprim konkret për ta bindur Beogradin që marrëveshjet e nënshkruara t’i respektojë”, kathënë Shaip Kamberi.

(r.m.)