Shqiptarët në Serbi nuk presin asnjë ndryshim të politikave të Beogradit pas zgjedhjeve

Uashington, 21 dhjetor 2023 – Për shqiptarët që jetojnë në Serbi, rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të javës së kaluar në Serbi nuk sollën ndryshime. Me fitoren e Partisë Progresive Serbe të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës tani po analizojnë se çfarë drejtimi do të marrin përpjekjet për krijimin e qeverisë së re të Serbisë.

Rreth 58,000 shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës do të përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë vetëm nga Shaip Kamberi, i rizgjedhur deputet në legjislaturën e re, me rreth 13,500 vota.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kamberi thotë se zhvillimet e fundit që po përcjellin procesin zgjedhor në Serbi, ku opozita po konteston rezultatet e zgjedhjeve dhe vëzhguesit ndërkombëtarë e të vendit po i kritikojnë autoritetet për një mori parregullsish që e kanë minuar procesin e votimit të lirë, janë paralajmërim për vazhdim të politikës aktuale të Serbisë, atë të vonesës së qëllimshme për t’u dhënë një epilog çështjeve që rëndojnë mbi rajonin, përfshirë ato që lidhen me pozitën e pakicës shqiptare në Serbi.

“Në mëngjes luan rolin e zjarrvënësit, kurse në mbrëmje zjarrfikësit. Do të shohim se cili është interesi i tij, por, me gjasë, interesi i tij duket qartë, e ky është të zvarrisë proceset e caktuara politike në cilat merr pjesë Serbia, qoftë kërkesën e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, qoftë për fillimin e realizimit të planit franko-gjerman për të cilin ka rënë dakord me Kryeministrin Albin Kurti. Aleksandar Vuçiq, me gjasë, po tenton të blejë edhe më shumë kohë, së paku deri në pranverë, kur do të mbahen zgjedhjet e BE-së,” deklaroi ai.

Sipas zotit Kamberi, nëse Serbia nuk e ndryshon qasjen ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj dialogut me Kosovën, nuk do të ketë ndryshim as në qasjen e saj ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Këto gjëra janë të ndërlidhura. Nëse Vuçiqi vendos përfundimisht të shkojë drejt zbatimit të marrëveshjes me Kosovën, besoj që do të ndryshojë edhe qasja ndaj Luginës. Por, nëse ai vendos ta shtyjë këtë, të vazhdojë retorikën armiqësore e luftënxitëse, është vështirë të pritet që ai të ketë ndonjë politikë më të mirë ndaj Luginës së Preshevës”, tha ai.

Studiuesit thonë se problem me të cilat përballen shqiptarët – që nga mungesa e investimeve ekonomike e deri te mosnjohja e diplomave dhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat në Luginë të Preshevës – tashmë e kanë ndryshuar strukturën etnike dhe, rrjedhimisht, përfaqësimin politik të shqiptarëve të këtij rajoni.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd, në raportin “Minoriteti shqiptar në pritje” të vitit 2021 e cilësonte pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi si “formë të spastrimit etnik me mjete administrative”. Në raport theksohej se shqiptarët kanë shprehur vullnet të integrohen në jetë politike të Serbisë, por Beogradi nuk ka shprehur aspak vullnet për t’i pranuar.

Studiuesja Flora Ferati-Saschenmaier, nga Universiteti i Gottingenit, e cilësoi “lajm të keq” fitoren e Vuçiqit në zgjedhje.

“Eshtë një lloj diskriminimi i pabesueshëm për të cilin flitet shumë pak. Shqiptarët janë bërë objekt i politikës së pasivizimit, një metodë shpopulluese nga qeveria serbe, kryesisht nga qeveria aktuale e Presidentit Vuçiq. Prandaj, rizgjedhja e tij, e partisë së tij, është një lajm i keq. Kjo do të thotë vazhdimësi e të njëjtave politika, sepse nuk shihet vullnet për t’i zgjidhur këto probleme”, tha ajo.

Zonja Ferati-Saschenmaier tha se fshirja sistematike e shqiptarëve nga regjistrat civilë me pretekst të verifikimit të adresave, ka ndikuar në uljen drastike të numrit të votuesve shqiptarë veçanërisht në komunën e Medvegjës, ku partia e Vuçiqit i fitoi 90 për qind të votave, ndërsa përfaqësimi i shqiptarëve në kuvendin komunal është krejtësisht i papërfillshëm.

“Në regjistrat zgjedhorë në komunën e Medvegjës dhe të Bujanocit mungojnë mijëra shqiptarë. Pra, shqiptarët nuk mund të shprehin vullnetin e tyre politik, për shkak se janë hequr nga listat e votuesve në mënyrë arbitrare, me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike të votuesve”, tha ajo.

Zoti Kamberi tha se numri i këshilltarëve shqiptarë në komunën e Medvegjës ka rënë nga 8 vetëm në 2, ndësa numri e votuesve shqiptarë ka rënë nga 1000 në vetëm 220. Ai thekson se, përveç migrimit dhe pasivizimit të adresave, interesi i shqiptarëve për të votuar ka rënë për shkak të mungesës së shpresës për ndryshim pozitiv të gjendjes së tyre.

“Beteja jonë është e njejta prej një kohe të gjatë, mjerisht, sepse në asnjë moment ne nuk po arrijmë të gjejmë bashkëbisedues korrekt në Beograd për të diskutuar për problemet tona dhe për të gjetur zgjidhjet për ato problem”, tha ai.

Sidoqoftë, Kamberi thekson se ai do të vazhdojë përpjekjet për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar me problemet e shqiptarëve.

“Roli im do të jetë sensibilizimi e problematikave të shqiptarëve sidomos në kontaktet me trupin diplomatik, më faktorin ndërkombëtar, të nge shqetësimet për problemet e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët këtu”, tha Kamberi.

Zonja Ferati-Saschenmaier, sekur edhe studiues e analistë të tjerë, mendon se zhvillimet në Luginën e Preshevës nuk mund të trajtohen ndaras nga zhvillimet në Kosovë. Ajo vlerëson se sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të trajtohen në kuadër të një diskutimi më të gjerë për pozitën e minoriteteve në Serbi, të cilat nuk duhet të trajtohen me standarde të dyfishta.

(r.m.)