Tiranë, 25 shkurt 2022 – Emanuel Bazanji, shtetasi shqiptar që i është bashkuar ushtrisë së Ukrainës, e ka përgënjeshtruar raportimet e medies shqiptare se është vrarë gjatë agresionit të forcave ruse në Kiev
“Mirë jam. Gjallë…. “, ka shkruar Buzanji në një komunikim të shkurtër në Ëhats Up me reporterin e Top-Channel në Kiev.
Ai ka treguar se çfarë ka ndodhur në repartin ushtarak ku ai shërben si pjesë e legjionit Gjeorgjian.
“U bombarduam sot me aviacion dhe me helikopter“, ka shkruar Emanueli, i cili ka treguar se formacioni të cilit i përket ishte në një situatë të rrezikshme.
Emanueli ka treguar se ai i është bashkuar vullnetarisht ushtrisë ukrainase për të mbrojtur Kievin dhe Ukrainën nga pushtimi rus.
Ai nuk e ka zgjatur më shumë komunikimin, duke thënë se i duhej ta fikte telefonin, pasi sistemi GPS i telefonit “smart’” mund t’u shërbente rusëve të përcaktonin vendndodhjen e tij.
Më herët në mediet shqiptare ishte raportuar se Emanuel Bazanji, 24-vjeçar, me origjinë nga Elbasani, ishte vrarë në Ukrainë ditën e enjte.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kishte marrë të mirëqena raportimet e medies. Pak para se të transmetohej përgënjeshtrimi i Bazanjit, Rama ka thënë se e kishte pranuar informacion për vdekjen e një shqiptari, pjesëtar të ushtrisë ukrainase në Kiev.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se në Ukrainë jetojnë rreth 60 shqiptarë të cilët janë integruar në jetën e Ukrainës. Sipas Xhaçkës, pesë ose gjashtë prej tyre kanë kërkuar asistencë për t’u larguar nga Ukraina dhe se atyre po përpiqen t’u ndihmojnë ambasadat e Shqipërisë në Poloni dhe në Rumani.
(r.m.)