Uashington, 19 maj 2023 – Një delegacion i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane e ndoqi nga afër seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Delegacioni, i cili udhëhiqej nga themeluesi e udhëheqësi shumëvjeçar i Ligës, ish-kongresmeni Joseph DioGuardi, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Ligës, Shirley Cloyes DioGuardi, pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit, Senatori Bob Menendez.
Senatori Menendez, gjatë udhëheqjes së seancës, tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përbën thelbin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se është Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai që po e pengon zbatimin e Marrëveshjes Themelore për normalizim, me të cilën janë pajtuar të dyja palët, në takimin e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në Bruksel.
“Pasi Serbia dhe Kosova u pajtuan mbi marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për normalizimin midis tyre, kemi pasur rezultate të përziera. Duke filluar me refuzimin e Presidentit Vuçiq për ta nënshkruar marrëveshjen, kundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe inkurajimin i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Unë dua të shoh Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara drejt normalizimit. Por, si mund të presim nga dy vendet që të zbatojnë marrëveshjen në mirëbesim, nëse Vuçiçi refuzon ta nënshkruajë atë?”, u shpreh senatori Menendez.
Ai tha se është krijuar përshtypja se ndaj Kosovës po ushtrohet presion që ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa ndaj Serbisë po ushtrohet më pak presion për t’i zbatuar pikat e marrëveshjes, me të cilën është pajtuar.
Senatori Menendez tha gjithashtu se SHBA, ashtu sikurse BE-ja, nuk kanë dhënë garanci se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të bëhet një ditë një “Republika Sërpska” në Kosovë.
“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, theksoi ai.
Senatori Chris Murphy shprehu gjithashtu shqetësimin për qëllimet e Serbisë me Asociacionin. Ai kërkoi nga Chollet e Escobar që Asociacioni të formohet sipas modeleve everopiane që do të pamundësojnë shndërrimin e Asociacionit në Republika Sërpska.
Anëtarët e delegacionit shqiptaro-amerikan e mirëpritën seancën dëgjimore dhe i vlerësuan veçanërisht vërejtjet dhe sugjerimet e Senatorit Menendez dhe të Senatorit Murphy.
“Ishte një seancë, do të thosha, historike. Senatori Menendez, si njohës shumë i mirë i çështjes së Kosovës, shtroi problemet thelbësore për stabilitetin e Kosovës, por edhe të mbarë rajonit“, deklaroi botuesi i Gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, pas përfundimit të seancës në Senat.
Ai tha se Senatori Menendez preku pikat aktuale më nevralgjike të zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe rreth Kosovës – veprimet e Serbisë kundër sovranitetit e rendit kushtetues të Kosovës dhe kundër integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
“Për ne, komunitetin shqiptar në amerikë, është një satisfaksion që dëshmia në Senat u organizua në saje të lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe lidhjeve të ngushta që ka ajo me Senatorin Menendez”, u shpreh Bajrami.
Ai tha se meritat më të mëdha për organizimin e kësaj séance u takojnë miqve të mëdhenj të shqiptarëve, ish-kongresmenit Joseph DioGuardi dhe zonjës Shirley Cloyes DioGuardi.
Anëtarët e delegacionit shqiptaro-amerikan patën rastin të takonin edhe dy referuesit në seancën dëgjimore në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan – Këshilltaritn e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të ketë një rol shumë të rëndësishëm në sensibilizimin e Senatit, Kongresit dhe Departamentit të Shtetit me çështjen e Kosovës dhe me kauza të tjera të shqiptarëve.
(Ramadan Muçolli)