Marshuesit këndonin dhe u ndalën në Times Square duke u fotografuar me kënaqsi me kureshtarët aty pari që bënin gjithashtu me kënaqësi simbolin me duar të shqipes dykrenëshe dhe vallëzonin nën tingujt e muzikës shqiptare
Denion Ndrenika, Korrespondent i “Report TV” Tiranë në SHBA
Garfield, New Jersey-110-vjetori po përkujtohet edhe në vende të tjera ku ka shqiptarë.
Sot ishte komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai që bëri një marshim me flamurin kuqezi nga New Jersey në New Jork. Udhëtimin e shoqëronin sherifët dhe efektivët e policisë, shumica shqiptaro-amerikanë, raporton Korrespondenti i Report Tv nga SHBA, Denion Ndrenika.
Organizimin e bëri “Albanian Alliance” në Garfield, Nju Xhersi me presidentin Alban Gaba.
Të paktën 400-500 shqiptarë të pranishëm që u shoqëruan me sherifët dhe policinë e New Jersey dhe New Jork.
Festimet zgjatën 3 ditë. Fillimisht në Garfield u grumbulluan shqiptaro-amerikanët me automjete dhe shoqatën e motorristëve “Bijtë e Ilirëve”-“Sons of Illyirians”.
Sherifët garantuan udhëtimin duke vennosur që në fillim kordonin shoqërues të mjeteve makina dhe motorrë të stolisur me flamuj kombëtar shqiptarë.
Pas marshimimit në Garfield, ata u nisën për në autostradën kryesore që lidh Nju Xhersin me Nju Jorkun.
Në tunelin ndarës të qendrave Nju Xhersi-Nju Jork shoqërimi vazhdoi deri në Qendrën e Botës të Qytetit që nuk Fle, siç i thonë Times Square dhe New York.
Marshuesit këndonin dhe u ndalën në Times Square duke u fotografuar me kënaqsi me kureshtarët aty pari që bënin gjithashtu me kënaqësi simbolin me duar të shqipes dykrenëshe dhe vallëzonin nën tingujt e muzikës shqiptare.
Ditën e nesërme do të ngrihet flamuri në shtatoren e Nënë Terezës në Garfield, New Jersey. Ndërsa pasnesër, më 28 nëntor do të ngrihet flamuri shqiptar në Bergen County.
Shqipëria feston pasnesër 110-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Pak histori!
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.