Beograd, 24 prill 2024 – Shtatë ish-pjesëtarë të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, të njohur si “Çakallët”, janë dënuar me gjithsej 56 vjet burgim, për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, në vitin 1999, në një process gjyqësor të përsëritur në Gjykatën e Lartë për krime të luftës, në Beograd.
Toplica Milladinoviq është dënuar me 20 vjet burgim, Predrag Vukoviq është dënuar me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq – me 12 vjet, Sinisha Mishiq – me 5 vjet, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq janë dënuar me nga 2 vjet burgim secili.
Dy të akuzuarit tjerë, Velko Koriçanin dhe Millan Ivanoviq, janë liruar nga akuzat.
Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), kanë marrë pjesë në masakrat kundër shqiptarëve në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan, gjatë muajve prill dhe maj të vitit 1999.
Ata kanë marrë pjesë në vrasjen e civilëve shqiptarë dhe në djegien e shkatërrimin e shtëpive dhe pronave tjera të shqiptarëve.
Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme të shqiptarëve nga shtëpitë e vendbanimet e tyre.
Në aktakuzë thuhet se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, ndërsa në shumicën e rasteve viktimat janë qëlluar pas shpine. Pas vrasjes, shumica e trupave të viktimave janë djegur në mënyrë që të mos identifikoheshin.
Gjykimi për këtë rast ka nisur në vitin 2010, në Gjykatën e Lartë për krime të luftës, në Beograd. Në vitin 2014 kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë të 9 të akuzuarit dhe i kishte dënuar me gjithsej 106 vjet burgim. Por, ky aktgjykim ishte shfuqizuar nga Gjykata e Apelit e Serbisë në vitin 2015.
Natasha Kandiq nga organizata joqeveritare “Fondi për të Drejtën Humanitare”, e cila është marrë me grumbullimin e informacioneve për krimet e luftës në Kosovë, ka shfaqur keqardhje që ky proces gjyqësor ka zgjatur kaq shumë. Ajo ka thënë se “jeta e njeriut nuk është e rëndësishme para procedurave gjyqësore.
“Ndjenja ime, 14 vjetë pas nisjes së gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme para procedurave gjyqësore”, ka thënë ajo në një deklaratë të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
(r.m.)