Beograd, 13 shtator 2024 – Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një adresim për opinionin në Serbi, të premten, i bëri publike shtatë kërkesat për, siç u shpreh, “tejkalimin e situates së krijuar në Kosovë nga veprimet e institucioneve të Kosovës, të cilat ai i quajti “organe të përkohshme të qeverisjes”.
Vuëiq ka thënë se përmbushja e këtyre kërkesave është “parakusht i domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Shtatë kërkesat e paraqitura nga Vuçiqi janë:
- shpallja dhe mbajtja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian;
- Kthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore;
- tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës;
- tërheqja e Policisë së Kosovës nga të gjitha institucionet, të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme të tyre, në vitin 2024, ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët;
- formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe;
- zbatimi i menjëhershëm të garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të 28 dhjetorit të vitit 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
- kryerja e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbe, dinarë.
Sipas Vuçiqit, këto kërkesa janë përpiluar në koordinim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe me Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradit zyrtar.
Vuçiq ka thënë se këto masa “nuk do të zgjasin përjetësisht”, por vetëm derisa të respektohet ajo që është arritur në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel.
Presidenti serb ka thënë se, brenda 45 ditësh, Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj për “shpalljen e krahinës autonome të Kosovës e Metohisë si zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”,
“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike”, ka thënë ai, duke paralajmëruar shuma të caktuara financiare për katëgori të ndryshme të serbëve që jetojnë në Kosovë.
(r.m.)