Uashington, 23 nëntor 2021 – Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden synon të garojë sërish për president më 2024.
Zëdhënësja, Jen Psaki, u ka thënë gazetarëve më 22 nëntor se rikandidimi është synim i tij.
Ajo i ka bërë këto komente në aeroplanin presidencial, teksa Biden është nisur për të marrë pjesë në një organizim me trupat amerikane për Festën e Falënderimeve.
Javën e kaluar, demokrati 79-vjeçar i është nënshtruar një ekzaminimi fizik, njëherësh të parin prej kur ka marrë detyrën e presidentit në janar të vitit 2021.
Mjekët kanë thënë se ai është i shëndetshëm për të kryer detyrat e tij.
Mbështetja ndaj Bidenit ka rënë në muajt e fundit, çka ka nxitur pyetje nëse ai është i gatshëm për të garuar për një mandat të dytë.
Një president amerikan mund të mbajë dy mandate katërvjeçare.
Republikani, Donald Trump, 75-vjeçar, i cili është mposhtur nga Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nuk është deklaruar publikisht nëse do të garojë sërish.
(REL)