Uashington, 11 mars 2023 – Megjithë marrëdhënien e paqëndrueshme me Kinën, Shtëpia e Bardhë thotë se mirëpret përpjekjet e Pekinit për të ndihmuar në dhënien fund të luftës në Jemen dhe uljen e tensioneve në rajon, pas njoftimit të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina, që u mundëson Iranit dhe Arabisë Saudite të rivendosin marrëdhëniet diplomatike pas shtatë vitesh armiqësie.
“Nëse kjo marrëveshje mund të qëndrojë – pavarasisht se çfarë interesash pati apo se kush u ul në tryezë – nëse mund të qëndrojë dhe lufta në Jemen të përfundojë, dhe Arabisë Saudite mos t’i duhet të përpiqet vazhdimisht të mbrohet nga sulmet e huthive, që janë të themeluar dhe të mbështetur nga Irani, në fund të fundit ne e mirëpresim këtë”, tha të premten John Kirby, koordinator për komunikimet strategjike i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjatë një seance informimi me gazetarët.
Njëkohësisht, zoti Kirby u përpoq të ulte rëndësinë e këtij zhvillimi, duke nënvizuar se edhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar për uljen e tensioneve nëpërmjet “kombinimit efikas të diplomacisë dhe veprimeve parandaluese”. Ai vuri në dukje se plani i njoftuar në Pekin të premten duket se është i ngjashëm me negociatat e mbajtura në Bagdat dhe në Muscat në vitin 2021 dhe 2022, që synonin rivendosjen e marrëdhënieve mes dy fuqive rivale në Lindjen e Mesme, negociata që u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara.
“Vërtet mbetet për t’u parë nëse iranianët do ta respektojnë pjesën e tyre të marrëveshjes”, shtoi zoti Kirby.
Teherani dhe Riadi ranë dakort të rivendosin marrëdhëniet diplomatike dhe të rihapin ambasadat përkatëse brenda dy muajve, thuhet në një deklaratë të qarkulluar nga Irani, Arabia Saudite dhe Kina. Në deklaratë shkruhet se “marrëveshja përmban garancitë e tyre për respektimin e sovranitetit të vendeve dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme”.
Riadi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2016 pasi demonstruesit sulmuan ambasadën saudite në Teheran, për shkak të ekzekutimit nga Arabia Saudite të Sheikut Nimr al-Nimr, një klerik i rëndësishëm shiit, i cili u gjet fajtor për akuza të lidhura me terrorizmin.
Prej dekadash, armiqësia Arabi Saudite-Iran ka ushqyer konflikte në rajon. Ulja e tensioneve ndërmjet Riadit dhe Teheranit mund të ketë pasoja pozitive përtej Jemenit, përshirë në Liban, Siri dhe Irak.
Një arritje diplomatike
Marrëveshja e arritur këtë javë në Pekin është “një arritje madhore diplomatike për Teheranin, Riadin dhe Pekinin”, tha Robert Daly, drejtor i Institutit Kissinger për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, në Qendrën Wilson. Është një arritje për diplomacinë kineze, i tha ai Zërit të Amerikës.
Marrëveshja Arabi Saudite-Iran u arrit ndërsa është krijuar perceptimi mes vendeve të Gjirit Persik se influenca e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme po tërhiqet, dhe Uashingtoni i ka përqëndruar burimet tek përpjekja për luftën në Ukrainë dhe rivalitetin strategjik me Kinën.
Me një koment me sa duket për Uashingtonin, kur u njoftua marrëveshja Pekini u shpreh se “bota nuk është e kufizuar tek çështja e Ukrainës”.
“Ka shumë çështje të lidhura me paqen dhe jetesën e njerëzve që kërkojnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, si dhe përqasjen në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur nga palët e interesuara”, u shpreh në një deklaratë Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Uashingtoni duhet ta shohë këtë si një moment kthjellimi dhe të investojë sërish tek diplomacia, paralajmëroi zoti Daly.
“Nëse Amerika vazhdon të mos jetë e pranishme, apo të jetë e nënpërfaqësuar në kryeqytetet botërore dhe në forumet globale, atëherë do të ketë vetëm veten për të fajësuar”, tha ai. “Marrëveshja Iran-Arabi Saudite nuk ndodhi si rezultat i ndonjë komploti tinëzar kinez. Kina punoi publikisht dhe në vazhdimësi për disa vite për të arritur këtë qëllim”.
(Zëri i Amerikës)