Shtëpia e Bardhë thekson urgjencën e armëpushimit në Gazë

Uashington, 4 shtator 2024 – Shtëpia e Bardhë tha se bashkë me zyrtarë të Egjiptit dhe të Katarit, është duke zhvilluar një propozim të ri armëpushimi dhe marrëveshjeje për pengjet midis Izraelit dhe Hamasit, për t’i dhënë fund luftës gati 11-mujore në Gazë.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se ekzekutimet nga Hamasi të gjashtë pengjeve, përfshirë një amerikan, “theksojnë ndjenjën e urgjencës” për arritjen e një marrëveshjeje.

Kirby nuk deshi ta cilësonte propozimin e ri si një ofertë përfundimtare dhe as të spekulonte se çfarë mund të ndodhë nëse edhe shtytja e re nuk do të jetë e suksesshme.

Duke iu përgjigjur këmbënguljes së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që Izraeli të mbajë një prani ushtarake përgjatë gjithë kufirit të Gazës me Egjiptin, Kirby theksoi se Izraeli tashmë kishte rënë dakord që në fazën e parë të një marrëveshjeje armëpushimi do t’i tërhiqte trupat e tij nga zona me popullsi të dendur, duke përfshirë të ashtuquajturin korridor të Filadelfit.

“Ky është propozimi për të cilin Izraeli kishte rënë dakord”, tha ai, citon AP.

(r.m.)