Shtetet e Bashkuara futën zyrtarisht në listën e zezë mbi 12 anije ruse të përfshira në ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, pak ditë pasi nxorën nga lista kompaninë operatore ruse dhe drejtorin e saj ekzekutiv.
Veprimi ishte njoftuar paraprakisht më 21 maj nga Departamenti amerikan i Thesarit, ndërsa pati kritika të forta nga ligjvënësit republikanë ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se vetë kompania operatore ruse nuk do të ishte më pjesë e sanksioneve.
Pothuajse i përfunduar, tubacioni i Detit Balltik do të sjellë gazin rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar linjat rrugore përmes Ukrainës, Bjellorusisë dhe vendeve të tjera.
Kritikët thonë se tubacioni do të shtojë varësinë e Gjermanisë nga energjia ruse dhe do ta bëjë Berlinin më të prekshëm nga politikat e Kremlinit. Gjithashtu ata thonë se tubacioni do t’i mohojë Ukrainës dhe vendeve të tjera fitimet nga tarifat për tranzitin.
Sidoqoftë, tubacioni është mbështetur nga qeveria e Kancelares Angela Merkel. Vëzhguesit politikë thanë se Presidenti Joe Biden duket se nuk zgjodhi grindjen me një aleat të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje.
Departamenti i Shtetit në fillim të kësaj jave njoftoi synimin për të mos sanksionuar operatorin rus të gazsjellësit, Nord Stream 2 AG, dhe drejtorin ekzekutiv, Matthias Warnig, i cili është një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.
Senatorët republikanë thanë se do të hartojnë legjislacion për të rivendosur sanksionet.
“Nuk e kuptoj. A nuk duan ta zemërojnë Putinin? Nuk e kuptoj këtë. A nuk duan ta zemërojnë Gjermaninë?”, u tha gazetarëve më 20 maj Senatori Jim Risch, zyrtar i lartë republikan në Komisionin e Senatit për Marrëdhënieve me Jashtë. (VOA)