Beograd, 8 korrik 2022 – Ambasada amerikane në Beograd, i bëri thirrje të premten Serbisë që të ndriçojë vrasjen dhe të mbajë përgjegjës autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, në vitin 1999.
“Sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetasit amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u ekzekutuan në njësitë e paraburgimit të policisë së posaçme serbe. Ka kaluar edhe një vit dhe familja e pikëlluar Bytyqi nuk ka gjetur përgjigje. Edhe një vit dhe sistemi serb i drejtësisë ende nuk ka mbajtur askënd përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm lufte”, thuhet në komunikatë në të cilën nëvizohet se “ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjës ata që e kanë kryer dhe e kanë fshehur vrasjen”, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane.
23 godine su prošle od ubistva američkih državljana braće Bitići, za vreme pritvora u kojem su ih držale specijalne snage srpske policije. Nećemo zaboraviti taj zločin i ponovo pozivamo Srbiju da privede pravdi počinioce i one koji su zataškali ta ubistva. https://t.co/k1ha2d2Ca8
— Američka ambasada (@USEmbassySerbia) July 8, 2022
Të tre vëllezërit Bytyqi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviq – Guri, ndaj të cilit, siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
(Zëri i Amerikës)